Helmimi i 52 studentëve në Akademinë e Sigurisë, Prokuroria thërret kreun e AKU-së për veprimet e kryera

Aktualitet

Helmimi i 52 studentëve në Akademinë e Sigurisë, Prokuroria

Prokuroria e Tiranës ka intensifikuar hetimet lidhur me helmimin e 52 studentëve në Akademinë e Sigurisë, ndërsa ka thirrur për t’u marrë në pyetje drejtorin e AKU-së në Tiranë, Ersid Hasanllari.

Drejtori i AKU-së në Tiranë, Ersid Hasanllari, pritet të merret në pyetje në cilësinë e deklaruesit, ku do të japë shpjegime mbi kontrollet e kryera më herët ndaj subjektit të kateringut dhe gjurmueshmërinë e produkteve ushqimore.

Në të njëjtën linjë, pritet që të pyeten edhe zyrtarë të tjerë të institucioneve përkatëse, mes tyre drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik dhe drejtoresha e njësisë vendore të Kujdesit Shëndetësor.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se prokurorët po presin aktet zyrtare që do të përcaktojnë shkaqet e sakta të helmimit, ndërsa ende nuk është vënë në dispozicion i gjithë materiali i kërkuar nga grupi hetimor.

Sipas raportimeve, hetuesit kanë kërkuar nga AKU dokumentacionin për kontrollet e mëparshme dhe gjurmueshmërinë e ushqimeve të përdorura nga subjekti i kateringut SORI-AL, për të verifikuar nëse ai ka qenë më parë nën monitorim.

Ajo që synon të kuptojë prokurori Bledar Valikaj është nëse autoritetet e kanë kontrolluar apo jo ndonjëherë kompaninë e kateringut, nëse i kanë gjykuar ndonjëherë produktet dhe cilat janë masat dhe specialistët që kanë konkluduar.

Prokuroria është ende në pritje të përgjigjeve nga mjekësia ligjore ndaj 52 studentëve nga 56 që u trajtuan në spital në datën 6 maj.

 

ME TE LEXUARAT