AMP reagon për videon e punonjësve në Sarandë: Pezullohen përkohësisht dhe nis procedimi disiplinor

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka reaguar pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje, ku pretendohet se janë të përfshirë disa punonjës të saj në qytetin e Sarandës.
Përmes një reagimi për mediat, AMP bën të ditur se punonjësit ndodheshin në terren në zbatim të një urdhri të prokurorit dhe ka nisur verifikimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Reagim për mediat
Lidhur me publikimin në rrjetet sociale të një videoje, në të cilën pretendohet se janë të përfshirë disa punonjës të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) në qytetin e Sarandës, ju informojmë si më poshtë:
Më datë 11.06.2026, punonjësit e AMP-së ndodheshin në qytetin e Sarandës, së bashku me punonjës të Policisë së Shtetit, në kuadër të zbatimit të urdhrit të prokurorit, të nxjerrë mbi bazën e vendimit të gjykatës, për kontrollin e banesës së punonjësit të Policisë së Shtetit, Ajdin Islamaj.
Shtetasi në fjalë është person nën hetim në kuadër të procedimit penal nr. 304/2026, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ndaj të cilit është caktuar masë sigurimi. Gjatë veprimeve për ekzekutimin e urdhrit të kontrollit, punonjësi i policisë fillimisht ka kundërshtuar dhe ka refuzuar të hapë derën e banesës për ushtrimin e kontrollit.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka marrë masën e pezullimit të përkohshëm të punonjësve të pretenduar si të përfshirë në video dhe ka nisur procedimin disiplinor për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Njëkohësisht, po kryhen veprimet e para procedurale dhe materialet përkatëse do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për vlerësim dhe ndjekje të mëtejshme, sipas kompetencës.


