Pakti Rama-Berisha për rezolutën e BE-së, Peleshi: Konsensusi për çështjet e mëdha forcon Shqipërinë

Politikë

Pakti Rama-Berisha për rezolutën e BE-së, Peleshi: Konsensusi

Pas miratimit me 114 vota pro të projektrezolutës së përbashkët mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për procesin e anëtarësimit në Bashkimi Evropian, ka reaguar kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Peleshi e cilësoi konsensusin mes mazhorancës dhe opozitës si një zhvillim pozitiv dhe të rëndësishëm për vendin në këtë moment të procesit integrues.

“Konsensusi ndërmjet forcave të mazhorancës dhe opozitës mbi rezolutën për anëtarësimin në BE ishte një ngjarje pozitive dhe shumë e rëndësishme për momentin ku ndodhet vendi ynë”, shkroi ai.

Sipas Peleshit, Shqipëria ka një karakteristikë të veçantë mes vendeve aspirante dhe anëtare të BE-së, pasi të gjitha forcat politike e kanë integrimin europian prioritet në programet e tyre.

Ai theksoi gjithashtu se ky konsensus nuk duhet parë si dobësi politike, por si një akt që forcon si mazhorancën ashtu edhe opozitën.

Postimi i Peleshit:


KONSENSUSI NUK ESHTË DOBËSI

Konsensusi ndërmjet forcave të mazhorancës dhe opozitës mbi Rezolutën për anëtarësimin në BE ishte një ngjarje pozitive dhe shumë e rëndësishme për momentin ku ndodhet vendi ynë.

Shqipëria ka një karakteristikë unike ndër vendet aspirante, madje edhe ndër vendet anëtare të BE-së: të gjitha partitë politike, në mazhorancë apo opozitë, parlamentare apo joparlamentare, të mëdha apo të vogla, kanë në program si prioritet absolut anëtarësimin në BE. Pra, në Shqipëri nuk ka forca politike (apo shoqërore) euroskeptike.

Miratimi konsensual i rezolutës ishte rasti për ta mbështetur jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, njëzëri, aspiratën tonë të përbashkët për anëtarësim.

Nga ana tjetër, ky konsensus duhet të mbështetet edhe nga opinioni mediatik, i cili, duam apo nuk duam, modelon opinionin e gjerë publik.

Në diskursin publik ekziston një frymë kritike ndaj polarizimit politik, me të drejtë, por është e padrejtë të analizohet “kush humbi” kur arrihet (fatkeqësisht jo aq shpesh) një konsensus.

Konsensusi për çështjet e mëdha kombëtare, që shkojnë përtej përfitimeve afatshkurtra politike, nuk dobëson askënd; përkundrazi, forcon si mazhorancën, ashtu edhe opozitën.

Mbi të gjitha, forcon Shqipërinë tonë!

 

 

 

 

 

 

ME TE LEXUARAT