Emigrantët vijnë për pushime, fluks i lartë në pikat kufitare dhe në porte

Fluksi i emigrantëve dhe turistëve drejt Shqipërisë vijon të mbetet i lartë në kulmin e sezonit veror. Pikat kufitare dhe portet e vendit po përballen me një numër të madh hyrjesh, ndërsa autoritetet kanë shtuar sportelet dhe personelin për të shmangur pritjet.
Në dy pikat kufitare të juglindjes, Kapshticë dhe Qafë Thanë, lëvizjet kanë qenë intensive gjatë 24 orëve të fundit. Në Kapshticë po punohet me 7 sportele në hyrje dhe dalje, ndërsa në Qafë Thanë janë në funksion 5 sportele në hyrje, për të garantuar përpunimin sa më të shpejtë të udhëtarëve.
Sipas autoriteteve kufitare, sportelet do të vijojnë të funksionojnë sipas intensitetit të lëvizjeve, ndërsa janë marrë të gjitha masat për të garantuar një kalim të shpejtë dhe pa vonesa për emigrantët dhe udhëtarët.
Fluks i shtuar është regjistruar edhe në Portin e Vlorës, ku fundjava ka sjellë një rritje të ndjeshme të mbërritjeve. Nga dita e djela e deri tani në port kanë mbërritur rreth 2.700 pasagjerë dhe 800 automjete.
Sipas autoriteteve portuale, shtimi i lëvizjeve lidhet me kulmin e sezonit turistik, ndërsa emigrantë dhe turistë të shumtë po zgjedhin të kalojnë pushimet verore në Shqipëri.


