“Kështjella në Francë është e Ramës”, Berisha: Rrogat e pensionet e shqiptarëve janë vjedhur nga Ermal Beqiraj

Politikë

“Kështjella në Francë është e Ramës”,

Edhe këtë të hënë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit në Prokurorinë e Posaçme në kuadër të masës së tij për detyrim paraqitje. Pas firmosjes, Berisha u ndal në një prononcim për gazetarët, ku komentoi edhe arrestimin e biznesmenit Ermal Beqiraj në Francë. Sipas Berishës, institucionet e drejtësisë duhet të verifikojnë nëse vila e Beqirajt në Francë është e tij apo e kryeministrit Edi Rama.

“Hetimi duhet të jetë: kështjella a është e Ermal Beqirajt apo e Edi Ramës dhe Olsi Ramës. Ai kishte kështjellë, jahte e avionë. Rrogat e pensionet e shqiptarëve janë vjedhur dhe shndërruar në pasuri përrallore nga Ermal Beqiri. Megjithatë, hetimet do të tregojnë se kështjella mund të jetë e Edi Ramës, sepse ai nuk do të toleronte në rrethin e tij kështjellarë të tjerë veç vetes së tij.”

Berisha iu përgjigj gazetarëve edhe për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, ku sipas tij nuk do të ketë asnjë bashkëpunim me mazhorancën për emrin e kreut të organit qendror të akuzës.

“Nuk marrim pjesë në përzgjedhje emrash pas aktit të tyre me Avokatin e Popullit. Kemi ndërprerë çdo bashkëpunim në përzgjedhjen e emrave me PS.”

Berisha u shpreh se kryeministri Rama kërkon të shkrijë 15 bashki duke krijuar centralizimin ekstrem.

“Kjo që bën Edi Rama është një veprim sulltanesk i një njeriu që kërkon ta ketë Shqipërinë në pëllëmbë të dorës, i një njeriu i cili, i pangopur dhe i paetur me pushtet, në vend të decentralizimit promovon centralizimin ekstrem. I një njeriu që përdori 2014-ën dhe vazhdon ta thellojë reformën si levën e Arkimedit për shpopullimin e Shqipërisë. Ndaj dhe unë i përgëzoj ata, të gjithë qytetarët e këtyre bashkive që ai, me gjakftohtësi kriminale, u bie një kryq, nuk do të ekzistojnë, pavarësisht se kanë histori shekullore ekzistence e të tjerë me radhë.”

Ndërkohë, qytetarët e bashkive që pritet të preken nga kjo reformë e propozuar nga socialistët, prej disa ditësh vijojnë protestat duke kundërshtuar shkrirjen e tyre.

ME TE LEXUARAT