E veja e gjyqtarit Kalaja: “Kushtet e Apelit skandaloze, pengu i tim shoqi”/ Ministri Gogu: E kuptoj shqetësimin, por...

Më 6 tetor të vitit të shkuar Tirana u trondit nga vrasja e një gjyqtari brenda sallës së gjyqit në një proces për prona. Gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja, u qëllua me 3 plumba nga Elvis Shkambi 30 vjeç, sapo u mor vendimi kundër xhaxhait të tij.
Së fundmi kjo ngjarje është kthyer në vëmendje për shkak të një reagimi në rrjetet sociale të Valbona Kalasë, e veja e gjyqtarit Astrit Kalaja. Ajo ka komentuar në një postim të Ministrit të Drejtësisë Toni Gogu, i cili kishte shpërndarë për publikun pamje nga një inspektim në procesin e ndërtimit të një burgu në Kukës.


Valbona Kalaja i kërkon ministrit investim në Gjykatën e Apelit, duke shtuar se kushtet jo të mira të asaj gjykate ishin edhe një peng i bashkëshortit të saj të ndjerë.
Zoti ministër, filloni ndërtimin e një Gjykate të re të Apelit në Tiranë, sepse kushtet e kësaj gjykate janë skandaloze. Para një jave një e afërme kishte një gjyq dhe m’u desh ta shoqëroja dhe, të them të drejtën, më dhimbsen ata gjyqtarë që punojnë në ato kushte. Ju vetë keni punuar në gjykatë dhe e dini shumë mirë çfarë do të thotë. Bashkëshorti im e dëshironte gjithë kohës një gjykatë të re, pasi në Shkodër punonte në një gjykatë me standarde evropiane dhe e mendoj shpesh se, po të ishte me punë në Shkodër, kurrë s’do t’i ndodhte ajo që i ndodhi. E meritojnë ata njerëz të punojnë në kushte normale, sepse kanë një punë të vështirë mbi supe”, shkruan ajo.
Nuk ka vonuar as përgjigja e ministrit Gogu, i cili shprehet se është i angazhuar në përmirësimin e infrastrukturës gjyqësore, por si çdo proces tjetër, edhe ky kërkon kohë.
“E nderuar zonjë Valbona Dema Kalaja, faleminderit për mesazhin tuaj. E kujtoj me respekt dhe nderim kontributin e të ndjerit Astrit dhe e kuptoj shumë mirë shqetësimin që ngrini. Përmirësimi i infrastrukturës gjyqësore është një nga objektivat ku po punojmë me institucionet përgjegjëse. Nuk është një punë që bëhet brenda natës, por është një angazhim që e konsideroj të rëndësishëm. Ju falënderoj për ngritjen e shqetësimit”, shkruan ministri.


