Vrasja e Renis Dobrës për konfliktin e drogës në Gjermani, gjykata lë në burg dy të dyshuarit

Gjykata e Dibrës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për dy të arrestuarit si autorë të dyshuar të vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra. Të pandehurit Fatjon Bushgjoka dhe Petrit Çakrri dolën sot para trupës gjykuese, rreth orës 09:00 të mëngjesit, ku ndaj tyre u konfirmua ndalimi.
Megjithëse nuk e pranuan vrasjen, në masën arrest me burg është lënë Petrit Çakrri, i arrestuar Lekbibaj të Tropojës tre ditë më parë si edhe Fatjon Bushgjoka, i arrestuar në Tiranë.
Ndërkohë vijojnë të jenë në në kërkim dy vëllezërit e Fatjonit, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj.
Policia e Shtetit tha zyrtarisht se konflikti për drogë në Gjermani, dyshohet se solli në vrasjen e të riut, i cili pasi u mbyt le litar, u hodh bashkë me makinën e tij në Liqenin e Shkopetit në Mat.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 8 korrik në zonën e Burrelit, ndërsa hetimet kanë zbuluar se autorët e dyshuar kanë vepruar në bashkëpunim. Të dy personat u arrestuan më 16 korrik, pas analizës së pamjeve të kamerave të sigurisë, që i lokalizuan në një pikë karburanti së bashku me viktimën pak orë para krimit.
Nga kqyrja e pamjeve filmike, rezulton se Çakrri dhe tre vëllezërit Bushgjoka (Fatjoni dhe dy të tjerë aktualisht në kërkim) kanë udhëtuar drejt fshatit Zenisht me dy automjete – një “Range Rover” të zi dhe një “Hyundai Santa Fe”.
Policia vijon kërkimet për Kristi dhe Aleksandër Bushgjokën, të cilët dyshohet se janë larguar nga vendi menjëherë pas ngjarjes.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi motivin e vrasjes, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbuluar të gjithë dinamikën e ngjarjes dhe për të bërë të mundur arrestimin e personave të tjerë të përfshirë.


