Përleshje dhe rrëmujë gjatë koncertit të Yll Limanit në Palasë

Momente paniku dhe rrëmujë totale janë regjistruar mbrëmjen e djeshme në klubin e natës “Lollipop” në Palasë, gjatë një koncerti ku performonte këngëtari i njohur Yll Limani.
Sipas dëshmitarëve, gjithçka nisi nga një përplasje mes dy grupeve, e cila u përshkallëzua në dhunë fizike, duke dyshuar se është përdorur edhe armë zjarri. Në momentin që situata doli jashtë kontrollit, stafi i sigurisë ndërhyri menjëherë për të larguar këngëtarin nga skena, ndërsa turma u përfshi nga paniku.
Policia reagoi per ngjarjen dhe artikulli ndodhet ketu
“Ishim në mes të koncertit, kur papritur njerëzit nisën të vraponin. Dikush bërtiti ‘ka armë’, dhe aty gjithçka shpërtheu,” – thotë një dëshmitar
Skenat që pasuan ishin të frikshme: gota, shishe dhe tavolina u përplasën në tokë, qelqe të thyera, njerëz të lënduar dhe të përgjakur në dalje. Shumë u shtynë, u rrëzuan apo u goditën në përpjekje për të dalë jashtë. Disa raportojnë për sende personale të humbura: telefona, çanta, portofola.
“Ishte një ferr i vërtetë. Më shumë se një koncert, ndiheshe sikur ishe në një zonë lufte,” – shton një tjetër i pranishëm.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga ana e administratës së klubit, as nga autoritetet lokale. Po ashtu, nuk është e qartë nëse ka persona të arrestuar apo kush janë autorët e sherrit që ktheu natën në kaos.
Ngjarja ngre seriozisht alarmin për sigurinë në ambientet e argëtimit, sidomos në kulmin e sezonit turistik, ku frekuentimi i qytetarëve vendas dhe të huaj është masiv. Klube të shtrenjta, me çmime elitare, por me siguri minimale – një kombinim që po rezulton i rrezikshëm.


