Trump paralajmëron lirimin e 10 pengjeve të tjera nga Gaza

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka bërë një deklaratë të fortë gjatë një darke me ligjvënës në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se së shpejti pritet të lirohen edhe 10 pengje të tjera që mbahen në Rripin e Gazës.
Pa dhënë detaje mbi identitetin e pengjeve apo një afat të saktë për lirimin e tyre, Trump konfirmoi se procesi i negociatave është ende aktiv dhe në një fazë të ndjeshme. “Kemi arritur të kthejmë shumicën e pengjeve. Shpresojmë ta përmbyllim këtë çështje sa më shpejt,” deklaroi ai.
Presidenti amerikan përgëzoi edhe të dërguarin e tij special, Steve Witkoff, për rolin e luajtur në këto negociata, duke e quajtur kontributin e tij “vendimtar” për progresin e arritur deri më tani.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur situata në Gaza vazhdon të jetë dramatike, me sulme intensive dhe pasoja të rënda për civilët. Vetëm ditët e fundit janë raportuar të paktën 41 viktima nga bombardimet izraelite.
Ngjarja lidhet drejtpërdrejt me përpjekjet e ndërkombëtarëve për të zgjidhur çështjen e pengjeve që mbahen nga grupet militante palestineze që prej përshkallëzimit të fundit të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Sipas analizave, çështja e pengjeve është një nga pikat më të ndjeshme në tryezën e bisedimeve, dhe çdo përparim në këtë drejtim shihet si një hap domethënës për de-përshkallëzimin e krizës.


