Blegtoria shqiptare vijon tkurrjen, vetëm bletaria dhe gjedhët bëjnë përjashtim

Sektori i blegtorisë në Shqipëri nuk arriti të dalë nga trendi negativ i shifrave edhe për vitin 2025. Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT-it, numri i përgjithshëm i gjësë së gjallë në vend ra me 3.8% krahasuar me një vit më parë.
Kategoria më e prekur mbetet ajo e bagëtive të imta. Numri i të leshtave (delet) zbriti me 0.9%, duke kaluar nga 1.177 mijë në 1.166 mijë krerë, ndërsa numri i dhive ra ndjeshëm më shumë — me 7.4%, nga 615 mijë në 570 mijë krerë.
Përjashtim nga ky trend bëjnë gjedhët, të cilët, pas një periudhe të gjatë rënieje, treguan shenja rikuperimi: numri i tyre u rrit nga 272 mijë në 275 mijë krerë, pra një shtim prej 3 mijë krerësh, ose 1%, brenda vitit.
Rënia më e thellë vërehet tek fermat e derrave, të cilat u tkurrën me 28% — nga 104 mijë krerë në 2024 në vetëm 75 mijë krerë në 2025. Edhe popullsia e shpendëve vazhdoi rrugën rënëse, duke shkuar nga 6.992 mijë në 6.953 mijë krerë (-1%).
Në kontrast me gjithë sektorin, bletaria doli e vetmja degë me rritje të qëndrueshme: numri i familjeve me koshere u shtua me 58 mijë njësi brenda 12 muajve, duke arritur gjithsej në 645 mijë koshere në vend.
Bujqësia, e prekur nga braktisja e fshatit
Edhe sektori bujqësor vuajti pasojat e shpopullimit rural. Kontributi i tij në ekonominë shqiptare ra me 0.3% në 2025, kryesisht për shkak të ngushtimit të sipërfaqeve me serra, prodhimi i të cilave zë 22.1% të totalit të perimeve, por shënoi rënie prej 0.9%.
Edhe kultivimi i drithërave po zvogëlohet — prodhimi i grurit ra me 10.1%.
Megjithatë, jo gjithçka është negative: perimet e njoma, që përbëjnë 65.8% të prodhimit bujqësor total, shënuan një rritje të lehtë prej 1.07%. Ndërsa pemët drufrutore dhe ulliri vazhdojnë të mbeten në vlera negative.


