Presidenti Begaj shkarkon Vlora Hysenin nga drejtimi i SHISH, SPAK i caktoi masën “arrest shtëpie”

Presidenti Bajram Begaj, ka dekretuar sot shkarkimin e Vlora Hysenit nga detyra e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), disa orë pasi SPAK caktoi ndaj saj masën e sigurisë “arrest shtëpie” si dhe pezullim nga detyra.
Në njoftimin zyrtar, presidenca sqaron se vendimi është marrë në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës dhe nenit 5, paragrafi 2, të ligjit “Për Shërbimin Informativ të Shtetit”, me propozim të Kryeministrit Edi Rama.
Sakaq, me herët kryeministri Edi Rama kishte njoftuar se Hyseni do të lirohej menjëherë nga detyra dhe se në konsultim me Presidentin, do të zgjidhej drejtuesi i ri i SHISH, sapo kreu i qeverise te kthehej nga Amerika.

Njoftimi:
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5, paragrafi 2 të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ të Shtetit”, i ndryshuar””, me propozim të Kryeministrit, dekretoi sot shkarkimin e zonjës Vlora Hyseni nga detyra e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit.
Vlora Hyseni u ndalua në Morinë
Vlora Hyseni, ndaj të cilës SPAK caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” është ndaluar në pikën kufitare të Morinës.
Hyseni ka qëndruar gjatë ditës në shtetin e Kosovës dhe më pas është dorëzuar te autoritetet shqiptare në Morinë, ku edhe është ndaluar.
Më pas Hyseni është shoqëruar në distancë me eskortë policie, ku ajo pritet të vijë në Tiranë dhe do ti komunikohet edhe akuza. Vlora Hyseni nuk ndodhej në Shqipëri kur SPAK caktoi masën e sigurisë, pasi ishte ne nje konferencë ndërkombëtare në Baku të Azerbajxhanit.
Masat e SPAK ndaj Hysenit
Kujtojmë që drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni u pezullua nga detyra dhe u vendos nën masën e “arrestit shtëpiak”.
Hyseni akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale të përkrahjes së autorit të krimit dhe nxjerrjes së sekreteve shtetërore.
Mësohet se masa ndaj Hysenit lidhet me hetimin e Prokuroria e Posaçme ndaj Ergys Agasit, i akuzuar për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal me qëllim manipulimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.


