Aksident i rëndë në Kurbin/ Përplasi për vdekje 37-vjeçarin që udhëtonte me motor, arrestohet e reja

Një aksident i rëndë rrugor i regjistruar këtë të hënë në Kurbin i ka marrë jetën një 37-vjeçari, ndërsa policia ka vënë në pranga drejtuesen e automjetit të përfshirë në ngjarje.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 13:00, në aksin rrugor Laç–Patok, një automjet i drejtuar nga A. S., 33 vjeçe, banuese në fshatin Grëz të Fushë-Kuqes, është përplasur me një motor që drejtohej nga shtetasi L. T., 37 vjeç, banues në Fushë-Kuqe.
Për pasojë, 37-vjeçari ka pësuar dëmtime të rënda dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë rreth orës 18:40.
Pas ngjarjes, specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë 33-vjeçaren për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e një personi.
Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, e cila do të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Njoftimi i Policisë:
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasen A. S., 33 vjeçe, banuese në fshatin Grëz, Fushë-Kuqe, Kurbin, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e një personi.
Rreth orës 13:00, të datës 02.06.2026, në aksin rrugor Laç–Patok, automjeti që drejtonte 33-vjeçarja është përplasur me një ciklomotor, me drejtues shtetasin L. T., 37 vjeç, banues në Fushë-Kuqe, Kurbin.
Si pasojë e aksidentit, shtetasi L. T. u dëmtua rëndë dhe u transportua për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës, Tiranë, ku, rreth orës 18:40, ka humbur jetën. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


