34-vjecari u vra me plumb pas koke, vijon kërkimi për arrestimin e autorit të dyshuar, Armand Shakaj

Përpara se ta hidhte në humnerë shokun e tij të ngushtë, Armand Shakaj e kishte qëlluar me plumb pas koke. I dyshuari kryesor i krimit të rëndë nuk është arrestuar ende, ndërsa burime pranë grupit hetimor bëjnë të ditur se trupi i 34-vjeçarit, Eglant Koçi, u gjet i dekompozuar pranë fshatit Cerruj pas dy javësh kërkime intensive nga forcat e policisë së Shqipërisë dhe të Kosovës.
Policia gjeti përmes dronit një viktimë mashkull, trupi i të cilit, sipas të gjitha dyshimeve, i përkiste 34-vjeçarit të zhdukur pa gjurmë. Më pas, ishin familjarët ata që e konfirmuan identitetin në morgun e Tiranës.
Policia njoftoi zyrtarisht se ai u gjet mes Tiranës dhe Elbasanit. Në këtë zonë ishin përqendruar kryesisht edhe kërkimet e policisë, pasi përkonin me sinjalet e fundit të celularit të shokut të tij të ngushtë, Armand Shakajt, i dyshuari kryesor për rrëmbimin dhe zhdukjen e të riut.
41-vjeçari, miku i Eglant Koçit, ka qenë personi i fundit me të cilin ai ka pasur kontakte para humbjes së tij pa gjurmë më 4 qershor, në zonën e Sheshit Wilson në Tiranë.
Atë natë, ai shkoi me motor te lokali i shokut të tij për të mos u parë më kurrë. Sipas hetimeve, autori është fiksuar nga kamerat e sigurisë duke dalë nga lokali me qese të zeza, të cilat i futi në automjetin e tij tip Porsche Cayenne. Automjetin, për të mos u pikasur, e kishte vendosur në një karrotrec, ndërsa motorin e viktimës e transportoi në zonën e 5 Majit.
Hetuesit besojnë se në qeset e zeza ndodhej trupi i pajetë i Eglant Koçit. Në dijeni të pengmarrjes, e më pas të ekzekutimit dhe zhdukjes së trupit, ishte edhe kamarieri i lokalit, Enea Zyferi, 25 vjeç, i cili u arrestua në zonën e Bulevardit të Ri teksa po lante automjetin me urdhër të Shakajt.
Brenda makinës janë gjetur njolla gjaku, që dyshohet se i përkasin Eglant Koçit. Madje, në dëshminë e tij, ai ka deklaruar se pronari i kishte kërkuar të fikte dritat, pasi do të nxirrte një frigorifer të madh.
Pistat kryesore të hetimit lidhen me mosmarrëveshje për kriptovalutat dhe paratë me fajde.


