Rezolutat e institucioneve të pavarura në filtrin e komisionit ‘Xhafaj’, zbulohet si do të monitorohet performanca e tyre

Politikë

Rezolutat e institucioneve të pavarura në filtrin e komisionit

Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, i njohur si komisioni “Xhafaj”, kaloi në filtër katër projekt-rezoluta të katër institucioneve të pavarura: Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Departamentit të Administratës Publike, Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Agjencisë së Sigurimit të Depozitave.

Me praninë vetëm të Gjin Gjonit, anëtar i opozitës në këtë komision, Fatmir Xhafaj tregoi se përse është i nevojshëm diskutimi në këtë komision i projekt-rezolutave përpara votimit në Parlament.

“Ky është një proces i rëndësishëm parlamentar, sepse ka të bëjë me përmbushjen e njërit prej tre misioneve kryesore kushtetuese të Kuvendit, atë të mbikëqyrjes parlamentare, por edhe me një reflektim dhe zbatim ndaj rekomandimeve të BE-së dhe angazhimeve të shtetit shqiptar në kuadër të procesit të integrimit europian të vendit”, u shpreh Xhafaj.

Më tej, kryetari i këtij komisioni, Fatmir Xhafaj, tregoi mekanizmin e kontrollit të institucioneve të pavarura.

“Në Kuvend, me asistencën e ekspertëve dhe të projektit PACA, po hartohen treguesit kyç të performancës për të gjitha institucionet e pavarura, mbi të cilat do të ndërtohet një raportim i mbështetur në evidenca konkrete, në rezultate konkrete e të matshme dhe të monitorueshme nga Kuvendi”, u shpreh Xhafaj.

ME TE LEXUARAT