Vrasja e ish-policit Santiago Malko/ Apeli i Posaçëm lë në “arrest shtëpie” Ilir Selmanin

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka ndryshuar masën e sigurisë për Ilir Selmanin, i akuzuar si një nga autorët e vrasjes së ish-policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2019 në Tiranë.
Përmes një vendimi të shpallur ditën e sotme, më 19 qershor 2026, Apeli i GJKKO-së ka pranuar kërkesën e të pandehurit duke konstatuar humbjen e fuqisë së masës “Arrest në burg” për shkak të kalimit të afateve ligjore të paraburgimit.
Trupa gjykuese ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Selmanit nga ambientet e paraburgimit dhe shoqërimin e tij drejt banesës private në Tiranë, ku do të vuajë masën e re të sigurisë “Arrest në shtëpi”.
“Urdhërohet prokurori dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi me anë të mbikëqyrjes së pandërprerë të qëndrimit në banesë të të pandehurit I.S. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit I.S dhe shoqërimi i tij për në banesë”, thuhet në disponimin e Gjykatës së Apelit.