Shqipëria, drejt roaming-ut falas me BE-në

Shqipëria po bën hapa konkretë drejt heqjes së tarifave të roaming-ut me Bashkimin Europian. Vetëm pak javë pas dritës së gjelbër të dhënë nga Këshilli Europian për nisjen e negociatave për heqjen e roaming-ut mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, kompania One Albania ka prezantuar planin e saj për ta mbështetur këtë proces, duke investuar në teknologji, infrastrukturë dhe shërbime për klientët.
CEO i One Albania, Barna Kutvolgyi, tha se kompania ka nisur zbatimin e paketave të para gjithëpërfshirëse të roaming-ut, pa regjistrim shtesë dhe pa kosto shtesë. Klientët mund të përfitojnë paketa interneti, thirrjesh dhe SMS-ve që përfshijnë të gjitha vendet europiane, në bashkëpunim me 87 operatorë në Europë.
Si pjesë e grupit hungarez 4iG, kompania thotë se angazhimi i saj është afatgjatë dhe se do të vazhdojë të investojë në rrjet, infrastrukturë mbarëkombëtare dhe inovacion digjital.
Nga ana institucionale, Irena Malolli, drejtoreshë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, theksoi se ministria ka krijuar një bashkëpunim me operatorët telefonikë për t'i përgatitur ata, si nga ana ligjore ashtu edhe operacionale, për procesin e integrimit.
Më herët këtë muaj, One Albania kishte prezantuar paketat e reja "One EU", që përfshijnë roaming brenda planit mujor — duke u mundësuar klientëve të përdorin internetin dhe të komunikojnë në vendet europiane si në Shqipëri, me deri në 50 GB internet roaming.


