SPAK nis hetimin për “Rrjollin”/ GJKKO: Të hetojë kallëzimin e banorëve

Gjykata e Posaçme nuk pranoi kërkesën e SPAK për mosfillimin e hetimeve lidhur me kallëzimin e banorëve të zonës së Rrjollit për falsifikim dokumentesh e korrupsion.
Gjyqtarja Flojera Davidhi, pasi dëgjoi mbrojtësin ligjor të banorëve të Rrjollit, pranoi ankimin e këtyre të fundit dhe urdhëroi Prokurorinë e Posaçme të nisë hetimet në lidhje me kallëzimin e depozituar pak kohë më parë nga ata.
Pas këtij vendimi, prokurorja Dorina Bejko do të regjistrojë procedimin penal mbi bazën e dy veprave penale dhe do të kryejë verifikime në lidhje me ndërtimin e paligjshëm që po kryen Gener 2 në Rrjoll.
Banorët pretendojnë se projekti “Baks Bay” po ndërtohet në tokë të vjedhur dhe në kundërshtim me ligjin. Për këto vepra penale, janë akuzuar nga banorët Fatmir Shpellza për falsifikim dokumentesh dhe “Gener 2” për ndërtim të paligjshëm.
Banorët ndodhen prej 8 muajsh në protestë, ku ka pasur edhe përplasje fizike me rojet e sigurisë dhe policinë, pasi ata kundërshtojnë ndërtimin e një resorti në zonën e Rrjollit, duke pretenduar se janë ata pronarë të sipërfaqes së tokës dhe jo Fatmir Shpellza.


