VIDEO/ “Po hyjmë në limitet e qytetërimit,” fizikani Erald Kolasi: Nëse konsumi i energjisë vazhdon të rritet, pasojat do jenë të rënda

Soft

VIDEO/ “Po hyjmë në limitet e qytetërimit,” fizikani

A mundet një qytetërim i ngritur mbi idenë e rritjes ekonomike si një motor i pakritikueshëm zhvillimi, të mbijetojë në një planet të fundëm?

Teksa paqëndrueshmëria e klimës, rritja e konsumit të energjisë, inteligjenca artificiale dhe tensionet gjeopolitike riformësojnë sistemin botëror, disa pyetje që dikur ngriheshin kryesisht nga shkencëtarët dhe ambientalistët, po kthehen dita-ditës në çështje të rëndësishme politike dhe ekonomike që na prekin të gjithëve. Shoqëritë moderne vazhdojnë të ndjekin rritjen ekonomike dhe zgjerimin si synime parësore, por sistemet ekologjike mbi të cilat ato ngrihen, sa vjen dhe bëhen më të brishta.

Këto janë disa nga temat që diskutojmë në episodin e radhës të Apostrof Podcast, ku i ftuar është fizikanti dhe autori Erald Kolasi, i cili jeton dhe punon në SHBA. Me një doktoraturë në fizikë nga George Mason University, Kolasi ka botuar prej pak kohësh në anglisht librin “The Physics of Capitalism: Hoë a Neë Political Ecology Can Change the Ëorld” (Fizika e Kapitalizmit: Si mund ta ndryshojë botën një ekologji e re politike). Aty ai e shpjegon kapitalizmin jo vetëm përmes tregjeve dhe politikës, por më gjerësisht përmes fizikës, sistemeve të energjisë dhe limiteve ekologjike të vetë planetit.

Një nga konceptet kryesore të diskutuara në libër është termi “Valerism” që Kolasi e ka krijuar për të shpjeguar një zgjidhje tjetër përkunddrejt dëshirës për rritje të vazhdueshme ekonomike. Është një term i krijuar nga fjalët “valencë” dhe “rigjenerim” dhe që propozon një sistem të organizuar mbi stabilitetin ekologjik dhe rigjenerimin afatgjatë. Sipas Kolasit, modeli ekonomik aktual nxjerr sasi tepër të mëdha energjie dhe materialesh nga natyra, të cilat pasi i përdor për prodhim industrial apo transport, i rikthen në mjedis në forma të degraduara që destabilizojnë klimën dhe sistemet ekologjike nga të cilat varet qytetërimi botëror.

Një nga paralajmërimet kryesore që Kolasi ngre gjatë bisedës lidhet me trajektoren afatgjatë të konsumit global të energjisë. Sipas tij, nëse njerëzimi vazhdon ta rrisë konsumin e energjisë me rreth 0.5% deri në 1% në vit deri në fund të këtij shekulli — afërsisht ritmi që është ndjekur gjatë njëqind viteve të fundit — pasojat mund të bëhen jashtëzakonisht destabilizuese. “Nuk dua të them që do të shkatërrohet qytetërimi,” shprehet Kolasi, “por gjërat nuk do të shkojnë mirë për ne, as në fund të këtij shekulli dhe as në tjetrin.”

I pyetur se sa beson tek tranzicioni i gjelbër, Kolasi shprehet se ai mund të jetë shumë më kontradiktor nga sa na paraqitet zakonisht. Sipas tij, edhe pse po investohet shumë në energjinë e rinovueshme, ajo nuk po arrin t’i zëvendësojë karburantet fosile. Ai përmend si shembull se si një pjesë e madhe e këasj energjie po përdoret për të vënë në punë qendrat e të dhënave, ndërsa nxjerrja e naftës dhe gazit vazhdon paralelisht me të.

Kolasi paralajmëron gjithashtu se rritja e shpejtë e sistemeve të inteligjencës artificiale mund të intensifikojë nevojat energjetike globale. Duke iu referuar paradoksit të Jevons-it, ai shpjegon se efikasiteti teknologjik jo domosdoshmërisht e redukton konsumin e energjisë. Madje, ai mund ta përshpejtojë atë duke krijuar forma të reja kërkese për energji.

ME TE LEXUARAT