Vala e nxehtësisë po afrohet, mjekët japin këshilla për t'u mbrojtur nga temperaturat ekstreme

Vala e të nxehtit që ka përfshirë gjithë Evropën pritet të sjellë temperatura deri në 40 gradë Celsius në fundjavë, duke rritur ndjeshëm rrezikun për shëndetin publik.
Temperaturat e larta, të shoqëruara me dehidratim, mund të shkaktojnë goditje nga nxehtësia dhe të përkeqësojnë sëmundjet kronike, rrezik që prek më shumë moshën e tretë, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore ekzistuese.
Për t'u përballur me situatën, Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) dhe Ministria e Shëndetësisë kanë dalë me një sërë rekomandimesh praktike.
Sipas Rudina Cunashit, eksperte e ISHP-së, vëmendje e veçantë duhet t'i kushtohet foshnjave të vogla: ato duhet të mbahen larg ekspozimit direkt në diell, të vishen me rroba të lehta, dhe ushqyerja e tyre të bëhet me kujdes. Po kaq rëndësi duhet t'i kushtohet edhe ruajtjes dhe përgatitjes së ushqimeve në familje, pasi në temperatura të larta ato kontaminohen më shpejt dhe mund të shkaktojnë probleme gastrointestinale.
Personat që vuajnë nga sëmundje kronike këshillohen të konsultohen me mjekun e tyre, pasi në kushte vapore mund të jetë e nevojshme rregullimi i dozave të medikamenteve, në varësi të patologjisë specifike që kanë.
Të njëjtat masa kujdesi vlejnë edhe për ata që po kalojnë pushimet në bregdet. Cunashi paralajmëron se hyrja e menjëhershme në ujë pas një qëndrimi të gjatë në diell është e rrezikshme dhe mund të shkaktojë infarkt.


