Sejko: Besueshmëria e bankave qendrore, thelbësore për stabilitetin ekonomik

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në konferencën e organizuar nga Banka Qendrore e Malit të Zi me rastin e 25-vjetorit të themelimit të saj.
Gjatë aktivitetit, ku morën pjesë guvernatorë dhe ekspertë të bankave qendrore të rajonit, Sejko foli për besueshmërinë e institucioneve monetare, politikën monetare dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
“Besueshmëria e bankave qendrore është një element thelbësor për forcimin e institucioneve dhe zbatimin sa më efektiv të politikës monetare”, u shpreh Sejko.
Sipas tij, përvoja e viteve të fundit ka treguar rëndësinë e besueshmërisë në ankorimin e pritjeve të publikut, ruajtjen e besimit dhe garantimin e stabilitetit makroekonomik.
“Besimi ndërtohet mbi një kuadër të fortë institucional, politika të qëndrueshme dhe komunikim të qartë, transparent dhe efektiv me publikun”, theksoi Guvernatori.
Duke folur për Shqipërinë, Sejko veçoi regjimin e shënjestrimit të inflacionit dhe kursin fleksibël të këmbimit si pjesë të kuadrit të politikës monetare. Ai përmendi gjithashtu reformat për forcimin e sistemit financiar dhe modernizimin e infrastrukturës së pagesave.
Një pjesë e diskutimeve iu kushtua edhe integrimit evropian. Sejko tha se përafrimi me standardet e BE-së dhe ruajtja e stabilitetit monetar e financiar duhet të ecin paralelisht.
“Integrimi evropian dhe përmbushja e mandateve të bankave qendrore për ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar plotësojnë njëri-tjetrin”, deklaroi ai.
Në këtë kuadër, Guvernatori përmendi edhe anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA, si dhe zbatimin e platformës ‘TIPS Clone’, që pritet të implementohet deri në fund të vitit. Sipas Sejkos, sistemi i pagesave të shpejta do të sjellë kursime në kohë dhe kosto për individët dhe bizneset shqiptare.
Gjatë qëndrimit në Malin e Zi, Sejko zhvilloi edhe një takim me Drejtorin e Departamentit Evropian të FMN-së, Mateusz Szczurek. Në fokus ishin zhvillimet ekonomike dhe financiare në rajon, integrimi evropian dhe sfidat e këtij procesi.
Guvernatori zhvilloi gjithashtu takime dypalëshe me përfaqësues të FMN-së dhe drejtues të bankave të tjera qendrore të rajonit.


