Qeveria do të vendosë licencim të detyruar për agronomët, ja si funksionon

Soft

Qeveria do të vendosë licencim të detyruar për

Qeveria ka hedhur për konsultim një projektligj të ri që parashikon krijimin e Urdhrit të Agronomit dhe vendosjen e licencimit të detyrueshëm për ushtrimin e profesionit të agronomit në Shqipëri. Sipas projektligjit “Për Urdhrin e Agronomit në Republikën e Shqipërisë”, “asnjë individ nuk mund të ushtrojë profesionin e agronomit në Republikën e Shqipërisë, pa qenë anëtar i Urdhrit të Agronomit”. Gjithashtu, profesionet e lidhura me agronominë do të duhet të regjistrohen në një regjistër të veçantë profesional.

Projektligji përcakton se Urdhri i Agronomit do të jetë një “ent publik jobuxhetor, me personalitet juridik, i pavarur në ushtrimin e funksioneve të tij”, me detyrën për të administruar regjistrin profesional, për të lëshuar, pezulluar ose hequr të drejtën e ushtrimit të profesionit, si dhe për të mbikëqyrur respektimin e etikës dhe standardeve profesionale.

Në relacionin shoqërues, Ministria e Bujqësisë argumenton se sektori bujqësor kontribuon me mbi 18% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe siguron punësim për rreth 40% të popullsisë aktive, ndërsa profesioni i agronomit ka mbetur deri më sot pa një kuadër të posaçëm rregullues.

Dokumenti shoqërues evidenton se aktualisht nuk ekziston një bazë e detyrueshme të dhënash për agronomët, nuk ka mekanizma të posaçëm për sanksionimin e praktikave joprofesionale dhe mungon një sistem i detyrueshëm i zhvillimit profesional të vazhdueshëm.

Sipas relacionit, mungesa e rregullimit institucional ka ndikuar edhe në sigurinë ushqimore. Ministria referon raste të dokumentuara të keqpërdorimit të pesticideve, plehrave kimike dhe produkteve fitosanitare nga persona pa formim profesional, duke sjellë produkte me ngarkesë kimike mbi kufijtë e lejuar të Bashkimit Europian dhe raste të kthimit të mallrave në eksport.

Projektligji parashikon gjithashtu që agronomët të dokumentojnë rekomandimet teknike që japin, të garantojnë gjurmueshmërinë e ndërhyrjeve agronomike dhe të mbajnë evidenca të verifikueshme për trajtimet dhe protokollet e zbatuara.

Në relacion thuhet se krijimi i Urdhrit të Agronomit synon të garantojë cilësinë dhe kompetencën profesionale përmes diplomimit universitar, provimit të shtetit, zhvillimit profesional të vazhdueshëm dhe respektimit të kodit të etikës.

Një nga funksionet e reja të strukturës do të jetë edhe mekanizmi disiplinor. Projektligji parashikon masa që variojnë nga vërejtja me shkrim deri te përjashtimi i përkohshëm nga Urdhri për një periudhë deri në tre vjet. Gjithashtu, komisionet disiplinore do të kenë të drejtë të vendosin gjoba nga 1,500 deri në 100 mijë lekë për shkelje profesionale.

Në aspektin institucional, Urdhri do të bashkëpunojë me Ministrinë e Bujqësisë, Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe institucionet e tjera kërkimore e arsimore të sektorit. Projektligji parashikon që ministria të informohet çdo gjashtë muaj mbi anëtarësimet dhe masat disiplinore të marra.

Për ngritjen e institucionit të ri, projektligji parashikon financim nga buxheti i shtetit për vitin e parë të funksionimit. Sipas përllogaritjeve të paraqitura në relacion, kostoja totale për vitin e parë arrin në rreth 42.3 milionë lekë, ku zëri më i madh i shpenzimeve lidhet me krijimin e regjistrit elektronik profesional.

Pas vitit të parë, Urdhri i Agronomit parashikohet të financohet nga kuotizacionet e anëtarëve, tarifat e regjistrimit, tarifat për shërbime dhe burime të tjera të ligjshme.

Projektligji parashikon që zgjedhjet e para të organeve drejtuese të organizohen nga një komision i përkohshëm i ngritur nga ministri përgjegjës për bujqësinë, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit./Monitor

ME TE LEXUARAT