Martesat me mblesëri apo me zgjedhje të lirë: Cilat janë më forta?

Nga Michael Castleman/
Shumica e perëndimorëve mendojnë se martesat me mblesëri nuk kanë dashuri. Një studim i ri thotë të kundërtën.
Gjatë historisë, në qindra kultura të botës, martesa mes burrit dhe gruas ka qenë pothuajse universale. Nga lashtësia deri në shekullin XVII, pothuajse të gjitha martesat organizoheshin nga familjet e ardhshme të çiftit. Dashuria mes nuses dhe dhëndrit kishte pak rëndësi. Më e rëndësishme ishte mënyra se si martesa ndikonte në aleancat dhe financat e dy familjeve.
Në Europën Perëndimore, martesat me mblesëri ishin normë deri rreth vitit 1600, kur martesat me zgjedhje të lirë, të njohura edhe si martesa me dashuri, nisën të bëheshin të njohura dhe përfundimisht zëvendësuan martesat me mblesëri. Në veprën e Shekspirit Zbutja e kryeneçes, shkruar në vitin 1591, BaptistaMinola kërkon të gjejë burra për t’u martuar me dy vajzat e tij, Katerinën dhe Biankën. Martesa e Katerinës organizohet nga i ati, ndërsa Baptista vlerëson burra të ndryshëm për të gjetur një bashkëshort për Biankën. Por ajo rebelohet dhe arratiset me një burrë që e zgjedh vetë. Në veprat e tjera të Shekspirit, martesat shpesh janë të organizuara nga familjet, por ka edhe plot histori dashurie mes çifteve që zgjedhin vetë njëri-tjetrin: Romeo dhe Zhulieta, Antoni dhe Kleopatra, si dhe Otello dhe Desdemona, për të përmendur disa.
Kolonizimi europian i territorit që më vonë do të bëhej Shtetet e Bashkuara nisi pas vitit 1600, pikërisht kur martesat me mblesëri po ia linin vendin martesave me dashuri. Në SHBA, martesa me zgjedhje të lirë ka qenë prej kohësh normë. Por gjatë historisë amerikane, grupe të ndryshme etnike kanë organizuar martesa për fëmijët e tyre. Kjo praktikë vazhdon edhe sot te shumë indianë-amerikanë, arabë-amerikanë, hebrenj ultraortodoksë dhe grupe të tjera etnike.
Kjo ngre një pyetje: A janë martesat me mblesëri të mbushura me dashuri apo pa të? Kohët e fundit, një ekip ndërkombëtar studiuesish shqyrtoi dinamikën e martesave me mblesëri në pesë shoqëri joperëndimore dhe arriti në përfundime që mund të befasojnë shumë amerikanë.
Studimi
Studiuesit nga Polonia, Bolivia, India, Nigeria dhe Rusia intervistuan 598 bashkëshortë, 260 gra dhe 238 burra, që jetonin në pesë shoqëri joperëndimore ku praktikohen si martesat me mblesëri, ashtu edhe ato me zgjedhje të lirë: Igbo të Nigerisë (34 milionë banorë), Meru të Tanzanisë (2 milionë), Kimeru të Kenias (1.3 milionë), Bhotija të Himalajeve tibetiane (120,000) dhe Tsimane të Bolivisë (8000). Studimi i kulturave ku praktikohen të dyja llojet e martesave nënkuptonte se personat e intervistuar kishin menduar për të dy modelet.
Studiuesit morën leje nga drejtuesit e secilit grup për të kryer intervistat. Më pas, ekipet kërkimore vizituan fshatrat e këtyre komuniteteve. Çdo ekip përfshinte të paktën një banor vendas që fliste gjuhën e grupit dhe njihte kulturën e tij. Të gjithë të intervistuarit u kompensuan me 10 dollarë amerikanë ose me dhurata, si grepa peshkimi apo miell.
Studiuesit e përkufizuan “dashurinë” si të përbërë nga tri elemente: intimiteti, pasioni dhe përkushtimi. Intimitetin e përshkruan si besim, hapje ndaj tjetrit dhe miqësi; pasionin si ndjenja të forta dëshire; ndërsa përkushtimin si vendime të qarta dhe të vetëdijshme për ta vazhduar marrëdhënien gjatë gjithë jetës.
Studiuesit i pyetën pjesëmarrësit për llojin e martesës së tyre, sa kohë kishin qenë bashkë dhe se deri në ç’masë mendonin se martesa e tyre përmbushte këto tri elemente të dashurisë: intimitetin, pasionin dhe përkushtimin.
Pothuajse gjysmë për gjysmë
Intervistuesit bënë dhjetëra pyetje për të krijuar një pasqyrë sa më të hollësishme të ndjenjave të pjesëmarrësve ndaj llojit të martesës së tyre, si në aspektet pozitive, ashtu edhe në ato negative. Përgjigjet u klasifikuan në 42 kategori. Në pak më shumë se gjysmën e kategorive (23), pjesëmarrësit favorizuan martesën me zgjedhje të lirë, ndërsa në pak më pak se gjysmën (19), favorizuan martesën me mblesëri.
Preferencat për njërin apo tjetrin model ishin kryesisht rezultat i kulturës së secilit grup. Bhotijat tibetianë favorizonin qartësisht martesat me zgjedhje të lirë. Igbo-t e Nigerisë dhe Tsimane-t e Bolivisë preferonin po aq qartë martesat me mblesëri. Kimerut e Kenias i vlerësonin të dyja modelet, por anonin disi nga zgjedhja e lirë, ndërsa Merut e Tanzanisë anonin pak nga martesat me mblesëri.
Po dashuria? Rezultatet ishin shumë të ndryshme nga një grup te tjetri. Në dy grupe, Igbo dhe Kimeru, nuk kishte dallime të rëndësishme në nivelin e dashurisë në varësi të llojit të martesës. Në dy grupe të tjera, Bhotiya dhe Tsimane, bashkëshortët në martesat me zgjedhje të lirë raportuan intimitet më të madh. Por në një kulturë tjetër, atë të Meruve, bashkëshortët në martesat me mblesëri përjetonin më shumë intimitet dhe pasion. Ndërsa te Bhotijat, çiftet që ishin zgjedhur lirisht raportuan më shumë pasion, te Tsimane-t çiftet me zgjedhje të lirë shprehën përkushtim më të madh.
Nga e nxehtë në të ftohtë, nga e ftohtë në të nxehtë
Studimet e mëparshme mbi martesat me mblesëri dhe ato me zgjedhje të lirë kanë nxjerrë këtë shprehje: “Martesat me dashuri nisin të nxehta dhe më pas ftohen. Martesat me mblesëri nisin të ftohta dhe më pas nxehen.” Ideja është se me kalimin e kohës ndryshojnë ndjenjat e bashkëshortëve.
Por në katër nga pesë kulturat, kohëzgjatja e martesës nuk kishte ndikim në nivelin e dashurisë. Përjashtim bënin Bhotijat. Edhe tek ata, dallimet në dashuri shfaqeshin vetëm pas 10 vitesh martesë, kur martesat me zgjedhje të lirë dilnin pak më mirë.
Studiuesit arritën në përfundimin: “Edhe pse personat në martesat me zgjedhje të lirë dhe në ato me mblesëri mund ta përjetojnë dashurinë në mënyra të ndryshme, dallimet janë mjaft të vogla. Gjetjet tona sfidojnë perceptimin perëndimor se martesat me mblesëri nuk kanë dashuri. Martesat me mblesëri duket se janë po aq të pasura me dashuri sa edhe martesat me zgjedhje të lirë.”
Paragjykim perëndimor?
Unë jetoj në zonën e Gjirit të San-Françiskos, një rajon me komunitete të mëdha familjesh emigrantësh indianë dhe afganë, disa prej të cilave organizojnë martesat e fëmijëve të tyre. Mediat lokale e kanë vënë re këtë fenomen. Raportimet e tyre zakonisht pasqyrojnë paragjykimin perëndimor se martesat me mblesëri janë “pa dashuri”, “boshe” dhe mund të “abuzojnë” me të rinjtë që detyrohen të martohen me persona që i njohin shumë pak.
Ky studim tregon se pikëpamja perëndimore ndaj martesave me mblesëri bazohet shpesh në një paragjykim të keqinformuar. Martesat me mblesëri mund të jenë intime, pasionante, të mbështetura në përkushtim dhe plot dashuri, njësoj si martesat ku partnerët zgjedhin vetë njëri-tjetrin. /Psychology Today


