Tragjedia në Ksamil / Vrasja e turistit portugez, publikohen emrat e personave të arrestuar

Aktualitet

Tragjedia në Ksamil / Vrasja e turistit portugez, publikohen emrat e

Një 20-vjeçar me shtetësi portugeze mbeti i vrarë në orët e para të mëngjesit të 18 gushtit në Ksamil, pas një konflikti që nisi në ambientet e një lokali dhe vijoi në zonën e plazhit.

Policia e Vlorës dhe Komisariati i Sarandës, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë zhvilluar veprime të menjëhershme hetimore për zbardhjen e ngjarjes. Në përfundim të veprimeve të para, janë arrestuar 11 persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

I dyshuari kryesor për vrasjen, 29-vjeçari S. L., alias S. V., banues në Helshan të Hasit, u kap paraditen e sotme në Levan të Fierit. Sipas policisë, ai ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që udhëtonte drejt Tiranës.

Në automjet ndodheshin edhe një 31-vjeçare dhe një 38-vjeçar, të dy me shtetësi turke. Policia thotë se ata kishin njohje me të dyshuarin dhe e kishin fshehur në makinë me qëllim transportimin e tij drejt Tiranës. Të dy janë arrestuar për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”.

Si ndodhi ngjarja?

Sipas të dhënave të policisë, rreth orës 05:15, në lokalin “Principote” dhe më pas në plazhin e lokalit “Paradise”, ka nisur një konflikt mes disa personave.

Gjatë konfliktit, 29-vjeçari S. L., alias S. V., dyshohet se ka goditur disa herë me thikë në trup 20-vjeçarin portugez L. V. Në të njëjtën kohë, sipas hetimeve, edhe D. H., 29 vjeç, i shpallur tashmë në kërkim, e ka goditur të riun me grushte.

Policia i akuzon dy personat për “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Në konflikt dyshohet se janë përfshirë edhe katër kamarierë të lokalit “Principote”, të cilët, sipas policisë, e kanë goditur me grushte 20-vjeçarin përpara se ai të goditej me thikë. Bëhet fjalë për katër shtetas të moshave 21 deri në 27 vjeç, të cilët më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Në pranga edhe punonjësit e sigurisë

Mes të arrestuarve janë edhe katër persona që, sipas policisë, ndodheshin në lokal në rolin e bodyguard-ëve në momentin e konfliktit.

Njëri prej tyre është punonjës policie, një tjetër punonjës i strukturave të ekzekutimit të vendimeve penale, ndërsa një tjetër punonjës i Policisë Bashkiake. Sipas hetimeve, ata kishin për detyrë sigurinë në ambientet e lokalit, por nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e konfliktit dhe, pas ngjarjes, nuk kanë njoftuar Policinë e Shtetit.

Për këta persona është ngritur akuza për “Moskallëzim të krimit”, ndërsa për njërin prej tyre edhe për “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.

Edhe pronari i lokalit “Principote”, B. B., është shpallur në kërkim. Sipas policisë, ai ndodhej në ambientet e lokalit në momentin e ngjarjes dhe më pas është larguar pa njoftuar autoritetet.

41 persona u shoqëruan në polici

Në kuadër të hetimeve, në Komisariatin e Policisë Sarandë janë shoqëruar 41 persona. Pas marrjes në pyetje dhe kryerjes së veprimeve të para hetimore, 11 prej tyre janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Të arrestuarit janë:

Sokrat Lipan alias Sokrat Vata

Nuh Mahmutoglu, dhe Ezgi Perlak,  të dy me shtetasi turke

Serxhi Selimi,

Ervis Bunci,

Ildi Cekani

Murat Zhabina

Miosid Matushaj

Luciano Seferi,

Romeo Shehu

Kristi Koshi

Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit David Heurtevent,

dhe Bekim Bulica;

Në kërkim janë shpallur D. H., 29 vjeç, dhe B. B., 36 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë e Sarandës. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të vrasjes, përcaktimin e përgjegjësive të secilit prej personave të përfshirë dhe kapjen e dy personave të shpallur në kërkim.

NJOFTIMI I POLICISË

Ksamil, Sarandë

Veprime intensive hetimore me metoda speciale të hetimit, të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Komisariatit të Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 20-vjeçarit portugez, mëngjesin e sotëm në Ksamil.

Vihen në pranga 11 shtetas dhe shpallen në kërkim dy të tjerë

Në vijim të veprimeve për zbardhjen e rrethanave, dokumentimin ligjor, kapjen dhe arrestimin e autorit, si dhe të personave të tjerë të përfshirë në vrasjen e 20-vjeçarit portugez, mëngjesin e sotëm në Ksamil, Sarandë, ju informojmë se:

Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, si dhe koordinimit të punës mes Komisariatit të Policisë Sarandë, Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, paraditen e sotme, në Levan, Fier, u kap në bagazhin e një automjeti autori i dyshuar i vrasjes, shtetasi S. L., alias S. V., 29 vjeç.

Ky shtetas udhëtonte në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga shtetasja E. P., 31 vjeçe, dhe pasagjer shtetasi N. M., 38 vjeç, të dy me shtetësi turke, të cilët kishin njohje me autorin dhe e kishin fshehur në makinë, me qëllim që ta transportonin drejt Tiranës.

Po në kuadër të veprimeve për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 20-vjeçarit, në Komisariatin e Policisë Sarandë u shoqëruan 41 shtetas.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

S. L., alias S. V., 29 vjeç, banues në fshatin Helshan, Has;

N. M., 38 vjeç, dhe E. P., 31 vjeçe, të dy me shtetësi turke;

S. S., 24 vjeç, banues në Ersekë;

E. B., 24 vjeç, banues në Peshkopi;

I. C., 21 vjeç, banues në Librazhd;

M. Zh., 27 vjeç, banues në Elbasan;

M. M., 24 vjeç, banues në Gjirokastër;

L. S., 44 vjeç, banues në Gjirokastër;

R. Sh., 35 vjeç, banues në Gjirokastër;

K. K., 29 vjeç, banues në Gjirokastër.

Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit D. H., 29 vjeç, banues në Tiranë, dhe B. B., 36 vjeç, banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore rezulton se:

Në orën 05:15, të datës 18.08.2026, në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e lokalit “Paradise”, në Ksamil, gjatë një konflikti midis disa personave, shtetasi S. L., alias S. V., dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) disa herë në trup shtetasin e huaj portugez L. V., 20 vjeç. Po në të njëjtën kohë, edhe shtetasi D. H., tashmë i shpallur në kërkim, e ka goditur me grushte 20-vjeçarin. Të dy këta shtetas akuzohen për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim.

Ndërsa shtetasit S. S., E. B., M. Zh. dhe I. C., të cilët janë kamarierë në lokalin “Principote”, janë përfshirë në konfliktin e mësipërm, duke goditur me grushte 20-vjeçarin, para se ta godiste me mjet prerës shtetasi S. V., dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Në momentin e kësaj ngjarjeje, në lokalin “Principote” kanë qenë në rolin e bodyguard-ëve shtetasit M. M. (punonjës policie D. R. K. M. Gjirokastër), L. S. (punonjës i I. E. V. P. Fier), R. Sh. (punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër) dhe K. K., të cilët kanë pasur rolin e sigurisë dhe nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e kësaj ngjarjeje, që fillimisht ka nisur në ambientet e lokalit “Principote”, si dhe, pas ngjarjes, nuk kanë njoftuar autoritetet e Policisë së Shtetit.

Gjithashtu, në momentin e ndodhjes së kësaj ngjarjeje, në ambientet e lokalit “Principote” ka qenë edhe pronari i tij, shtetasi B. B., i cili, pas ngjarjes, është larguar duke mos kallëzuar në autoritetet përkatëse.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për shtetasit S. V. dhe D. H., për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim; për shtetasit N. M. dhe E. P., për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”; për shtetasit S. S., E. B., M. Zh., I. C., L. S., K. K., B. B. dhe R. Sh., për veprën penale “Moskallëzim i krimit”; si dhe për shtetasin M. M., për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.

ME TE LEXUARAT