A po e “gëlltit” globalizmi Shqipërinë? Viti shkollor 2026-‘27: Në klasë të parë rreth 3 herë më pak nxënës se në ‘90!

Me një popullsi që shkon mbi 2 milionë banorë, gjysma e të cilëve në moshë pensioni, nëse numri i nxënësve do të vijojë rënien si edhe këtë vit, në dekadat e ardhshme për mbijetesën e saj popullsia shqipfolëse e një vendi të vogël si Shqipëria ndoshta si shpëtim për mbijetesën e saj do të jetë me shpresë nga rikthimi i enigrantëve në atdhe
Mbi 340 mijë nxënës janë rikthyer sot në bankat e shkollës në të gjithë vendin. Rreth 25 mijë fëmijë ulen në klasat e para sipas shifrave zyrtare
Nuk ka ende një numër zyrtar dhe të saktë të përgjithshëm nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për numrin total të shkollave të mbyllura në të gjithë Shqipërinë për vitin shkollor 2026-2027.
Por për shkak të krizës demografike, shpopullimit dhe rënies së lindshmërive rreth 30,500 nxënës më pak janë regjistruar në tre vitet e fundit në shkallë vendi.
Në fillim të viteve 1990, sistemi i arsimit parauniversitar në Shqipëri numëronte mbi 680 mijë nxënës, çka tregon se numri i nxënësve është përgjysmuar. Në arsimin 8-vjeçar (cikli bazë që është 9 vjeçar) ishin të regjistruar rreth 557 mijë nxënës, kurse u ulën për herë të parë në banka rreth 69 mijë fëmijë.
Në klasë të parë janë ulur këtë vit tre herë më pak në nxënës, ndryshe nga sistemi parauniversitar që ka akrualisht rreth dy herë më pak nxënës se në ‘90. Ky ndryshim shpjegohet me vazhdimin masiv të shkollës së mesme nga nxënësit, ndryshe nga vitet e para pas rënies së regjimit. Pra, analiza më e mirë që i jep shpjegim dramës së shpopullimit është ajo e numrit të nxënësve që shkojnë në klasë të parë.
Si pasojë edhe këtë vit raportohet për mbylljen e disa shkollave, kryesisht në zonat rurale.
Drama më e madhe e rënies vihet re në qarqet e mëdha të jugut si në Korçë, Gjirokastër. Por nuk i kanë shpëtuar krizës as qarqet më të mëdha si Elbasani, Fieri dhe Vlora.

Të dhënat për qarkun e Korçës tregojnë se numri i nxënësve ka ardhur në rënie edhe krahasuar me një vit më parë, si në arsimin fillor, ashtu edhe në klasat e dhjeta.
Banorët Neviçishtit e kujtojnë me nostalgji kohën kur shkolla ishte plot me nxënës dhe mësues. Për breza të tërë, ajo ka qenë një prej institucioneve më të rëndësishme të komunitetit, ku qindra fëmijë kanë marrë dijet e para.
Por me kalimin e viteve, Neviçishti është përballur me një rënie të ndjeshme të popullsisë. Sot në shumë prej shtëpive të fshatit kanë mbetur kryesisht të moshuarit.
Deri një vit më parë shkolla kishte 5 nxënës, por këtë vit shkollor mbeti vetëm 1 fëmijë. Pas mbylljes së shkollës, prindërit u detyruan ta regjistrojnë në shkollen e fshatin ngjitur, në mënyrë që fëmija të mësojë me bashkëmoshatarët.
Në Korçë, edhe shkolla fillore në Eçmenik është mbyllur pasi mbeti me vetëm dy nxënës.
Në qarkun e Fierit, në disa zona për të mbijetuar shkollat 9-vjeçare dhe të mesme funksionojnë si shkolla të bashkuara duke mbledhur nxënës nga disa fshatra përreth.
Nxënës të shkollave të mesme nga zona e Levanit, Qarrit, Boçovës, Frakullës, Semanit, Darzezës dhe zonave të tjera po orientohen drejt shkollave të mesme në qytetin e Fierit.
Në Mallakastër, shkolla e bashkuar e Fratarit mbledh nxënës nga fshatrat Drizar, Damës, Gadurovë, Kremenar, Corrush, Kut, Bejar dhe zona të tjera përreth. Në Bashkinë Mallakastër, janë bashkuar shkollat për nxënësit e zonave Fratar, Aranitas e Ballsh, të cilët janë orientuar drejt shkollave të përqendruara në qendër.
Në Bashkinë e Roskovecit dhe Patosit, numri i nxënësve të regjistruar ka pësuar rënie, si në klasat e para, ashtu edhe në arsimin 9-vjeçar dhe atë të mesëm.
Në qarkun e Elbasanit edhe këtë vit janë regjistruar më pak nxënës se një vit më parë. Në bashkitë Prrenjas, Cërrik e Belsh vihet re rënia më e madhe e numrit të nxënësve.
Në Qarkun e Vlorës janë të regjistruar për këtë vit të ri shkollor edhe fëmijë të huaj, kryesisht nga Ukraina, si dhe fëmijë të familjeve të kthyer nga emigracioni, kryesisht Gjermania
Por ashtu është shënuar rënie e numrit të nxënësve. Do të zhvillojnë mësim 11.540 nxënës, prej të cilëve 895 në klasë të parë.
Në total cikli paraunivrsitar do të ketë 47 nxënës më pak, krahasuar me një vit më parë.
Në Qarkun Gjirokastër, bashkia Këlcyrë, një shkollë nuk do të hapet për shkak të mungesës së plotë të regjistrimeve. Po ashtu jë gjimnaz në Libohovë rrezikon mbylljen për shkak të numrit shumë të ulët të nxënësve. Në shumë prej zonave rurale procesi i mësimdhënies vijon të zhvillohet në klasa kolektive, për shkak të numrit të ulët të nxënësve. Në disa prej shkollave, një klasë mund të ketë vetëm një, dy apo tre nxënës, të cilët zhvillojnë mësimin së bashku me nxënës të niveleve të tjera.
Në total, në klasat e para deri në të nëntën në arsimin publik janë 1.781 nxënës, ndërsa në arsimin jopublik 403.
Në qarqet e Tiranës e Durrësit ku është përqëndruar më shumë se gjysma e popullsisë në vend disa shkolla nuk kanë hapur ende dyert, kryesisht për shkak rikonstruksioni.
Për të ndryshuar trendin e zymtë, duhen hartuar politika që efektet e para pozitive të jepen minimalisht pas një dekade. Në të kundërt, nga nevoja për fuqi punëtore shqiptarët për herë të parë në histori pas dy dekadave të ardhshme rrezikojnë të mos jenë shumicë në trojet e tyre, për herë të parë histori.


