VIDEO/ Shpërthime në centralin bërthamor të Zaporizhzhias, një i vdekur dhe 15 të plagosur

Bota

VIDEO/ Shpërthime në centralin bërthamor të Zaporizhzhias,

Një mjet ajror pa pilot ka shpërthyer të martën në një stacion autobusi të përdorur nga stafi i centralit bërthamor të Zaporizhzhias në Ukrainë, duke vrarë një person dhe plagosur 15 të tjerë.

Lajmi është bërë i ditur nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), e cila njoftoi se shpërthimi ndodhi rreth orës 06:00 të mëngjesit. Mes të plagosurve janë punonjës të centralit dhe nënkontraktorë, ndërsa tre persona raportohet se kanë marrë plagë të rënda.

Sipas IAEA-së, drejtori i centralit e ka përshkruar ngjarjen si “incidentin më të keq” që ka përjetuar ndonjëherë objekti.

Centrali i Zaporizhzhias është centrali më i madh bërthamor në Evropë dhe ka gjashtë reaktorë. Forcat ruse e morën nën kontroll objektin në javët e para të pushtimit të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.

Që prej atëherë, Rusia dhe Ukraina kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për sulme dhe veprime që mund të rrezikojnë sigurinë e centralit dhe të shkaktojnë një incident të rëndë bërthamor.

Ngjarja e fundit ka rritur shqetësimet për sigurinë e objektit, ndërsa IAEA vazhdon të monitorojë situatën dhe të paralajmërojë për rreziqet që paraqesin aktivitetet ushtarake pranë centralit.

ME TE LEXUARAT