Pas ndeshjes së bujshme, Drilon Rama pezullohet nga ringu për një muaj

Ndeshja e zhvilluar më 28 qershor nga boksieri shqiptar Drilon Rama ka tërhequr vëmendje të madhe, jo vetëm për rezultatin e saj, por për rrethanat që e shoqëruan.
Fillimisht, Rama do të përballej me një boksier nga Tanzania – i pamposhtur deri atëherë. Por vetëm pak ditë para duelit, kundërshtari u zëvendësua papritur me një tjetër boksier, i cili kishte në rekord mbi 20 humbje radhazi.
Ky ndryshim ngjalli reagime të forta në rrjetet sociale dhe ngriti dyshime mbi seriozitetin dhe transparencën e organizatorëve.
Boksieri afrikan i parë, në një prononcim për “Prive by Liberta Spahiu”, sqaroi se nuk kishte ndonjë dëmtim, por nuk mundi të udhëtonte për shkak të problemeve me vizën.
Pas përfundimit të ndeshjes, u zbulua se Drilon Rama është pezulluar deri në fund të muajit, sipas të dhënave të BoxRec – databaza më e madhe ndërkombëtare për boksin profesionist. Pezullimi lidhet me dëmtimin e rëndë që kundërshtari i tij pësoi gjatë përballjes.
Nga ana e tij, Rama nuk ka bërë ende asnjë deklaratë publike mbi pezullimin apo mënyrën se si u ndërrua kundërshtari.
Përballja, edhe pse e fituar nga boksieri shqiptar, ka lënë pas një sërë pikëpyetjesh – që nga ndërrimi i papritur i kundërshtarit, deri te mënyra si është menaxhuar ngjarja. Kritikat nuk mungojnë, ndërsa publiku kërkon më shumë transparencë dhe ndershmëri në sport.


