Prapaskenat e kthimit sekret nga Azerbajxhani, përgjimet telefonike që fundosën Vlora Hysenin

Teksa në Shqipëri lajmi se SPAK kishte firmosur ndaj shefes së Shërbimit Informativ Shtetëror masat e sigurisë “arrest shtëpie” dhe “pezullim nga ushtrimi i funksioneve publike”, Vlora Hyseni ndodhej jashtë vendit.
Burime jo zyrtare thanë se ajo ndodhej në Baku të Azerbajxhan në një takim me shefat e shërbimeve të 82 vendeve. Por krejt papritur po atë ditë, Vlora Hyseni që dyshohet se përkrahu Ergys Agasin në arrati dhe e furnizoi me dokumente të klasifikuara, u shfaq në Kosovë.
Të martën, pak orë përpara se Bajram Begaj të dekretonte shkarkimin e saj nga detyra si kryeagjente e Shqipërisë, Vlora Hyseni u paraqit në Policinë e Kosovës. Automjeti me të cilin udhëtonte mbërriti në pikën e kalimit kufitar në Morinë ku edhe u bë ndalimi nga policia shqiptare.
E zhveshur nga funksioni, ish-kryespiunia shqiptare, e cila del ne komunikime direkte me Agasin, para dhe gjatë kohës që ai qëndroi në arrati, u shoqërua për në ambientet e policisë së Shtetit. Aty dha shpjegimet e para, ndërsa më pas iu komunikua masa dhe izolua në banesën e saj afër stadiumit Air Albania.
Vlora Hyseni akuzohet nga SPAK për përkrahje të autorit të krimit dhe zbulim të akteve secrete, lidhur me afëren e AKSHI, ku Ergys Agasi dyshohet se kishte krijuar një grup kriminal që vepronte brenda këtij institucioni. Komunikimet mes Hysenit dhe Agasit janë zbuluar në celularët e këtij të fundit, ndërsa në automjetin ku u arrestua biznesmeni është gjetur dhe një hard disc me materiale brenda.
Komunikimet mes tyre flasin për një lidhje të ngushtë, ku Hyseni i drejtohet atij me fjalën “zemër”, ndërsa i vë në dispozicion materiale sekrete për personazhe të ndryshëm.
Në automjetin e Agasit që u zbulua të EQUOS RESORT, vetëm pak javë përpara se të arrestohej Agasi janë gjetur materiale në të cilat implikohet ish shefja e shërbimit sekret. Agasi po hetohet se në kuadër të grupit kriminal dhe në bashkëpunim me ish-drejtoreshën e AKSHIT Mirlinda Karçanaj dhe ish zv.drejtoreshën Hava Delibashi ka manipuluar tenderat e institucionit.
Në kuadër të të njëjtin aksion SPAK arrestoi dje Embro Sulejmanin, punonjës i Agroturizëm Kodra e Kuajve, që ndihmonte Agasin në arrati, si dhe Fatjon Kalluci, Përgjegjës Sektori në Institutin të Policisë Shkencore që dyshohet se nxjerrje te dokumenteve sekrete.
SPAK urdhëroi dhe kontrollin e banesës dhe atë personal për ish kreun e Policisë së Shtetit, Ilir Proda.


