Tirana duhet të “shkëputet” nga qeveria, Braçe: Duhet të iki nga “duart” e saj ekonomikisht

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe i ftuar në Euronews Albania në një intervistë me Mirela Milori, ka deklaruar se disa nga problemet kryesore të kryeqytetit, si pastërtia apo heqja e betonit të tepërt, mund të zgjidhen në një kohë shumë të shkurtër nëse ka vullnet dhe punë të përditshme.
Sipas Braçes, zgjidhja e problemit të mbetjeve kërkon vetëm angazhim të përditshëm. Përveç pastërtisë dhe betonizimit, Braçe veçoi dy sfida kryesore strategjike për të ardhmen e Tiranës si ekonomia vendore dhe mbrojtja e fshatit.
“Unë mendoj që fjala bie, pastërtia në këtë qytet rregullohet brenda një muaji. Është thjesht dhe vetëm çështje e faktit që Tirana është pa qeverisje prej një viti e ca dhe e dyta që është shumë e rëndësishme, nuk merret kërkush ditë për ditë me këtë gjë dhe natyrisht që çështja e pastërtisë në këtë qytet mund të zgjidhet shumë kollaj.
Po edhe çështja tjetër e shkuljes së betonit, të asfaltobetonit nga sipërfaqet e tepërta me beton patjetër është një çështje e zgjidhshme, do thjesht vizion edhe vullnet për t’u bërë. Ajo që është sfidë patjetër për këtë qytet ka të bëj me dy elementë shumë të rëndësishëm. Ekonominë e këtij qyteti.
Pra ky qytet duhet të fillojë të ketë ekonominë e tij, jo ekonominë e qeverisë qendrore, por ekonominë e tij, ekonominë vendore të Tiranës dhe në krahun tjetër duhet të mbrojë fshatin. Tirana rrezikon të mbetet pa fshat. Pa fshat”, tha ai.


