"Të hiqet Garda”/ Përplasje në Kuvend, Peleshi i përgjigjet Vokshit dhe Bardhit: Mos krijoni ...

Dy deputetët e Partisë Demokratike Gazment Bardhi dhe Albana Vokshi, janë përplasur në seancën plenare me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, lidhur me praninë e Gardës në sallë.
Albana Vokshi tha se nuk ishte lejuar të shkonte pranë sekretarisë për të marrë informacion mbi një projektligj, pasi sipas saj ishte penguar nga punonjës të Gardës.
Ajo akuzoi drejtuesit e Kuvendit se po trajtojnë deputetët e opozitës si armiq dhe kërkoi largimin e gardistëve nga salla.
Në debat ndërhyri edhe Gazment Bardhi, i cili e cilësoi situatën si intimidim ndaj deputetëve të opozitës.
Ai tha se është e papranueshme që deputetët të pengohen të komunikojnë me sekretarinë dhe krahasoi situatën me vende autoritare.
Nga ana tjetër, Niko Peleshi mohoi të ketë dhënë urdhër për kufizimin e deputetëve dhe deklaroi se ata janë të lirë të lëvizin në çdo hapësirë të Kuvendit.
“Asnjë deputet nuk duhet të pengohet. Mund të shkoni në çdo cep të Kuvendit dhe të merrni shërbimet që ju duhen”, u shpreh ai.
Pjesë nga debati:
Vokshi: Pak më parë tentova të shkoja te sekretaria e seancës për të bërë një pyetje, por nuk u lejova se aty keni vënë një punonjës të Gardës. Ne nuk lejohemi që të shkojmë as te sekretaria të flasim për ndonjë projektligj. Nga kush ruheni ju, kryetar, nga ne? Kur ju e trajtoni deputetin e opozitës si armik. Ku e keni parë ju një seancë plenare të tillë? Nxirrini jashtë gardistët. Ne nuk kemi punë me ju.
Peleshi: Zonja Vokshi, unë nuk merrem fare me çështjet e sigurisë dhe me Gardën. Unë nuk kam asnjë merak për vete. Nuk janë fare procedura që kalojnë nga kryetari i Kuvendit.
Bardhi: Shqetësimi që ngriti Vokshi është një shqetësim legjitim, është e paprecedentë. Kjo i ka ndodhur edhe kryetarit të grupit parlamentar të PD, që ai e ka për detyrë të komunikojë me sekretarinë. Kjo është në mënyrë të shprehur në rregullore që është detyra juaj. T’i vendosësh deputetëve gardistë dhe punonjës sigurie për të lëvizur brenda sallës së seancave, është pa asnjë dyshim intimidim. Ju kërkoj zyrtarisht të merrni masa t’i largoni punonjësit. Ju nuk keni asnjë të drejtë t’i rrethoni deputetët me punonjës garde.
Aq më pak të pengoni deputetët të marrin shërbime nga sekretaria. Është e paimagjinueshme, kjo nuk ndodh në asnjë Kuvend. Ku ndodh kjo përveç Koresë së Veriut? Më thoni një vend të botës ku ndodh kjo. Është detyra juaj sipas rregullores. Ju lutem, ju kërkoj të largoni punonjësit e Gardës që kanë rrethuar deputetët dhe nuk i lejojnë të komunikojnë me sekretarinë.
Peleshi: Edhe me moralin tuaj do mësojmë. Nuk ka asnjë urdhër nga kryetari i Kuvendit sa i përket sigurisë. Zonja Vokshi, unë si kryetar nuk kam asnjë urdhër apo kërkesë që Garda të mos lejojë deputetët. Nuk ka asnjë pengesë për ju. Vazhdoni punën qetësisht. Le ta dëgjojë edhe Garda: asnjë deputet nuk duhet të pengohet. Mos krijoni stuhi në gotë. Mund të shkoni në çdo cep të Kuvendit dhe të merrni shërbime.


