Përfituan rreth 2 milionë euro nga matësit e parkimeve, dënohet çifti i bashkëshortëve në Gjermani

Një çift i martuar në Gjermani është dënuar me nga 5 vite e gjysmë burg secili, pasi vodhën rreth 1.9 milionë euro nga matësat e parkimit.
Vendimi u dha nga gjykata në Kempten, e cila urdhëroi gjithashtu që çifti të kompensojë qytetin për dëmin e shkaktuar.
Sipas gjykatës, burri 40-vjeçar, ish-punonjës i bashkisë, përvetësoi paratë e mbledhura nga matësat e parkimit për më shumë se 10 vite.
Gruaja e tij 39-vjeçare e ndihmonte duke depozituar paratë në llogari bankare dhe u cilësua nga gjykata si “ekspertja e logjistikës” pas skemës.
Të dy pranuan akuzat dhe u dënuan për mbi 300 raste vjedhjeje që nga viti 2020, duke i shkaktuar qytetit një dëm prej 1.34 milionë eurosh.
Autoritetet po kërkojnë gjithashtu sekuestrimin e të ardhurave nga mbi 500 raste të tjera të dyshuara, të cilat arrijnë në rreth 584 mijë euro.
Sipas hetimeve, çifti bënte jetë luksoze duke blerë kuaj, makina dhe veshje të shtrenjta me paratë e vjedhura.


