Specialja dënoi ish-krerët e UÇK, Rama: Të refuzohet varrimi për së gjalli i atyre katër burrave!

Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me diasporën shqiptare në Michigan, ka folur për vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Rama tha se respektimi i vendimit të gjykatës nuk duhet të nënkuptojë pranimin e tij si një “fatalitet pa apel”. Sipas tij, Shqipëria nuk mund të bëjë më shumë sesa t’i qëndrojë në krah Kosovës, ndërsa mënyra e reagimit ndaj vendimit duhet të përcaktohet nga institucionet e Kosovës.
“Ka një fjalë që na e përsërisin shpesh: respektoni vendimin e gjykatës. Problemi në këtë rast s’është të mos e respektosh vendimin e gjykatës, por si ta refuzosh për së gjalli varrosjen për së gjalli të katër njerëzve, në emër të popullit, kur vetë populli s’e gjen asgjëkundi veten në atë vendim, të dhënë jo vetëm në gjuhë të huaj, por edhe në një tëhuajësim të vetë drejtësisë.
Shqipëria në këtë mes s’mund të bëjë asgjë më shumë përveçse t’i rrijë në krah Kosovës, për sidoqoftë të zgjedhurit e popullit të saj do të zgjedhin ta refuzojnë varrosjen për së gjalli të atyre katër burrave. Unë besoj se respektimi i detyruar dhe i padiskutueshëm i atij vendimi të gjykatës, s’e pengon refuzimin e asaj varrosjeje, si një fatalitet pa apel”.
Deklarata e Ramës vjen pesë ditë pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet. Mbrojtja ka paralajmëruar apelimin e vendimit.


