Vala e të ftohtit pritet të përfshijë Ballkanin, meteorologët: Temperaturat do të bien deri në 15 gradë

Një ndryshim i fortë i motit pritet të përfshijë Evropën Lindore dhe Ballkanin gjatë kësaj jave, teksa një masë ajrore me origjinë polare po zbret nga veriu, duke i dhënë fund temperaturave të larta që kanë shoqëruar fundin e shtatorit. Sipas analizës së publikuar nga Severe Weather Europe, edhe Shqipëria ndodhet në zonën që do të ndikohet nga ky depërtim i ajrit të ftohtë.
Sipas meteorologëve, shkaku kryesor i këtij ndryshimi është krijimi i një bllokimi të fuqishëm atmosferik mbi Atlantikun Verior dhe Skandinavinë. Ky sistem presioni të lartë po hap një korridor për depërtimin e ajrit polar drejt jugut, duke sjellë temperatura shumë më të ulëta në një pjesë të madhe të Evropës Lindore.

Me kalimin e frontit të ftohtë, temperaturat maksimale gjatë ditës në zonat më të prekura do të bien me 10 deri në 15 gradë Celsius krahasuar me vlerat normale për këtë periudhë të vitit. Kjo rënie konsiderohet e pazakontë për gjysmën e dytë të shtatorit.
Parashikimi tregon se vala e të ftohtit do të përfshijë fillimisht Ballkanin të martën, duke avancuar drejt Greqisë dhe Detit Egje të mërkurën, ndërsa më pas do të shtrihet edhe në rajonin e Detit të Zi dhe Turqi. Në të njëjtën kohë, Evropa Perëndimore do të vijojë të mbetet nën ndikimin e temperaturave më të larta se normalja, duke krijuar një kontrast të fortë mes dy pjesëve të kontinentit.
Në Ballkanin qendror, temperaturat pritet të jenë 6 deri në 10 gradë nën mesataren klimatike të fundit të shtatorit. Serbia, Bosnja, Rumania dhe Bullgaria do të jenë ndër vendet që do të ndiejnë më shumë efektin e kësaj mase ajrore, ndërsa moti do të freskohet ndjeshëm edhe në Greqi dhe në veriperëndim të Turqisë. Të mërkurën, anomalitë më të mëdha të temperaturave priten pikërisht në Bullgari, Greqi dhe Turqi, ku në disa zona temperaturat mund të jenë deri në 12-16 gradë më të ulëta se normalja.
Me stabilizimin e motit gjatë natës dhe zbutjen e erës, priten edhe ngricat e para të sezonit në lugina dhe zona të ulëta në disa vende të Evropës Lindore dhe Ballkanit. Ndërkohë, në lartësitë e Karpateve dhe në disa zona malore të Ballkanit Verior, rënia e temperaturave do të krijojë kushtet për reshjet e para të borës së kësaj vjeshte.
Sipas meteorologëve, kjo valë e të ftohtit nuk pritet të zgjasë shumë. Në fund të javës, masa e ftohtë do të tërhiqet gradualisht, ndërsa një sistem me presion të lartë nga Evropa Perëndimore pritet të shtrihet sërish drejt Evropës Qendrore dhe Lindore, duke sjellë rritje graduale të temperaturave në fund të muajit shtator.


