U vra në atentatin në Rinas ndaj Gilmando Danit/ Akuzohen se punësuan jashtë rregullave Muçi Shaljanin, gjykata jep dënimin për dy ish-zyrtarët e AMP

Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin për ish-drejtorin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Artjol Saliasi, dhe ish-zyrtarin Gëzim Sala, të cilët u gjykuan për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Trupi gjykues i deklaroi fajtorë të dy dhe caktoi për secilin dënimin me 9 muaj burg. Me aplikimin e gjykimit të shkurtuar, masa e dënimit u reduktua në 6 muaj heqje lirie.
Pavarësisht këtij vendimi, gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg, duke e zëvendësuar atë me një periudhë njëvjeçare shërbimi prove.
Procedimi penal ndaj dy ish-zyrtarëve lidhet me mënyrën se si ishte trajtuar procesi i rekrutimit në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore i Muqi Shaljanit. Sipas hetimeve, ekzistojnë dyshime se gjatë kësaj procedure nuk janë zbatuar kërkesat e parashikuara nga ligji.
Emri i Shaljanit u bë publik pasi ai mbeti viktimë e atentatit të ndodhur në Rinas në nëntor të vitit të kaluar. Në të njëjtën ngjarje humbi jetën edhe Gilmando Dani, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të sulmit.


