"Reforma në Drejtësi do të ecë përpara pavarësisht kostove", Rama në Kongresin Botëror të Ligjit: Nuk do lejojmë të ...

Nga Kongresi Botëror i Ligjit, kryeministri Edi Rama deklaroi se Reforma në Drejtësi do të vijojë përpara dhe se qeveria nuk do të lejojë kthim pas.
Rama tha se procesi do të vazhdojë pavarësisht kostove dhe sfidave që sjell.
“Ky proces do të ecë përpara me të gjitha kostot dhe dhimbjet e veta. Jemi të vendosur të mos lejojmë që të cenohet ajo që është ndërtuar dhe të mos lëkundet sistemi i ri i drejtësisë”, u shpreh ai.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu mbështetjen e gjerë që, sipas tij, qytetarët i kanë dhënë Reformës në Drejtësi.
Ai kujtoi se mbi 90% e shqiptarëve kanë qenë pro vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke e cilësuar këtë si një mbështetje të rrallë publike.
Sipas Ramës, kjo mbështetje erdhi si reagim ndaj një sistemi drejtësie që për vite me radhë ka prodhuar pabarazi dhe mosbesim tek qytetarët.
“Unë jam besim plotë që ky proces do të shkojë përpara ashtu siç duhet me të gjitha dhimbjet dhe me të gjitha kostot e veta, ashtu sikundër jam më i vendosur se asnjëherë së bashku me shumicën qeverisëse që të mos lejojmë që të cenohet ajo çka është projektuar dhe të mos lejojmë të lëkundet ajo çka është ndërtuar, në aspektin e një sistemi të ri dhe të pavarur drejtësie”, tha Rama.
Kreu i qeverisë vuri theksin te mbështetja e madhe që ka patur Reforma në Drejtësi te qytetarët, ku 90% e tyre ishin pro miratimit të saj.
“E kam fjalën: për të gjithë partnerët tanë në këtë rrugë, mbështetja ka qenë me një rëndësi të dorës së parë. Me asocimin që bëmë asokohe për të matur pulsin e opinionit shqiptar, morëm dy të dhëna në dukje kontradiktore por në përmbajte tërësisht komplimentare, 90% e kusur të shqiptarëve mbështesin vetting-un e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Të bësh bashkë 90% e shqiptarëve për një çështje është një gjë jashtëzakonisht e rrallë. Tjetra është mbi përgjigjen, a besoni ju që në jetën tuaj në Shqipëri do të shikoni fundin e pandëshkueshmërisë dhe barazinë e njerëzve para ligjit. Shqiptarët e mbështesnin reformën në drejtësi sepse ishin të rraskapitur me një drejtësi të pabarabartë për ta”, deklaroi kreu i ekzekutivit.
“Për hir të vërtetës askush nuk mund t’i vërë faj të gjithë atyre që ishin mosbesues pasi nuk ishte vetëm e përditshmja tyre, që prej vitesh i provonte se drejtësia ishte një iluzionin, por ishte historia e shtetit shqiptar, që pushteti ishte në duart e më të fuqishmëve të politikës”.


