"Rama nuk ikën me lule"! Diaspora të jetë çdo ditë në shesh, protestuesi: Të bllokojmë institucionet

Protesta e 35-të kombëtare kundër qeverisë së Edi Ramës është shoqëruar edhe me thirrje për intensifikimin e aksionit qytetar, ndërsa një prej protestuesve u bëri apel shqiptarëve të diasporës të mos largohen nga Shqipëria, por të qëndrojnë në krah të protestuesve deri në përmbushjen e kërkesave.
Nga podiumi i ngritur para Kryeministrisë, ai deklaroi se protesta nuk do të ndalet deri në largimin e kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar mobilizim të vazhdueshëm.
“Protesta do të vijojë derisa ky të japë dorëheqjen. Diaspora të mos vijë vetëm deri të shtunën, por çdo ditë derisa ta shporrim. Diaspora të qëndrojë këtu me qëndrestarët”, tha ai.
Protestuesi u shpreh gjithashtu se, sipas tij, nevojitet përshkallëzim i formave të protestës, duke bërë thirrje për bllokimin e institucioneve shtetërore.
“Nuk ikën Rama me lule, as Berisha. Duhet të bllokojmë institucionet e të mos i lejojmë të hyjnë. Institucionet i përdorin për pazaret e tyre dhe jo për Shqipërinë”, deklaroi ai nga podiumi.


