"Nëse nuk kanë asgjë për të fshehur, le të publikojnë takimet për investimet strategjike..."

Analisti dhe politologu i njohur Afrim Krasniqi i ka bërë kërkesë kryeministrit dhe kryetarëve të bashkive që të publikojnë procesverbalet e bisedimeve formale dhe informale që kanë zhvilluar në qeveri, për të gjitha "investimet strategjike".
"Një ide për transparencën: nëse Kryeministri, qeveria, bashkitë, etj, nuk kanë asgjë për të fshehur, le të publikojnë procesverbalet e bisedimeve formale dhe informale që kanë zhvilluar në qeveri, në takimet në Vlorë, Sarandë dhe Durrës, në takimet në anije, në takimet në Crans-Montana, në takimet në Sheraton, në Katar, në Greqi, ne Turqi dhe vende të tjera.

Për Vlorën, per te gjithë zonën e bregdetit, si dhe per te gjithe 'investimet strategjike' dhe kullat e larta vendimet de facto duket se janë marrë përmes komunikimeve personale dhe devijim nga rruga ligjore", shkruan politologu Afrim Krasniqi.
Teksa citon ligjin, ai thotë se zyrtarët janë të detyruar të raportojnë me shkrim dhe të depozitojnë në arkivin e institucionit çdo komunikim apo bisedë të zhvilluar për Shqipërinë dhe në emër të qeverisë.
"Po ashtu, le të publikohen edhe të dhënat se cilët nga biznesmenët e përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi në këto procese kanë qenë pjesë e financimeve elektorale. Kjo, po, do të ishte një shenjë reale transparence", përmbyll Afrim Krasniqi.


