Ministri Salla nga Dibra: Zgjerim i mbështetjes për bujqësinë dhe shtrirje kombëtare e modelit të bashkëpunimit me fermerët

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me Kryeministrin Edi Rama, drejtuesin politik të qarkut Dibër Ulsi Manja dhe kryebashkiakun Rahim Spahiu, zhvilluan një bashkëbisedim me fermerët e zonës në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”.
Takimi u përqendrua te rritja e investimeve në bujqësi, lehtësitë e reja për sektorin dhe përmbushja e standardeve të kërkuara nga tregu i Bashkimit Europian.
Gjatë fjalës së tij, ministri Salla theksoi rëndësinë e organizimit të fermerëve përmes Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor, duke e cilësuar Dibrën si një model suksesi, veçanërisht në sektorin e fruta-perimeve.
Ai bëri të ditur se projekti mbështetet nga Ministria e Bujqësisë dhe Banka Botërore, ndërsa janë lidhur kontrata me subjekte që grumbullojnë dhe tregtojnë prodhimet përmes këtyre strukturave.
Salla nënvizoi edhe rolin e teknologjisë në bujqësi, duke treguar se në Dibër po zbatohet një projekt pilot me sensorë inteligjentë që monitorojnë në kohë reale sipërfaqet bujqësore dhe japin informacion për vaditjen, plehërimin, spërkatjen dhe kushtet atmosferike.
Sipas tij, synimi është që ky sistem të shtrihet në të gjithë vendin, duke u ofruar fermerëve akses në të dhëna përmes telefonit apo aplikacioneve digjitale.
Ministri prezantoi edhe Skemën Kombëtare të Mbështetjes për bujqësinë, me një buxhet prej 5.2 miliardë lekësh, që përfshin ndihmë për sektorë të ndryshëm.
Në bletari, subvencioni për kosheret është dyfishuar nga 10 mijë në 20 mijë lekë, ndërsa në blegtori është ulur pragu minimal i përfitimit nga 100 në 50 krerë dhe janë rritur subvencionet për bagëtitë.
Ai njoftoi gjithashtu mbështetje deri në 30 mijë euro për ndërtimin e staneve dhe grante deri në 10 mijë euro për të rinjtë që duan të investojnë në bujqësi.
Salla tha se modernizimi i prodhimit dhe bashkëpunimi mes fermerëve do të rrisin konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare dhe do të ndihmojnë integrimin në tregun europian.


