Arrestimet në protestë / Kryemadhi: Po u imponojnë 'heronj' të rremë, janë tradhtarë të kauzës

I vetëshpalluri “kryendritur” dhe ideatori i Kuvendit Kombëtar Qytetar, Edviol Kulluri i është rikthyer përplasjeve brenda grupeve që kanë dominuar protestat e fundit. Duke iu referuar edhe 14 arrestimeve pas përplasjeve në protestë të një ditë më parë, Kulluri hedh akuza se disa prej të shoqëruarve nuk janë përfaqësues të vërtetë të kauzës, por po përdoren për t’u faktorizuar si “heronj” të protestës.
Në një reagim në Facebook, ai pretendon se “arrestimet e bujshme” janë pjesë e një skenari të asaj që e quan “Sistemi i Vjetër”, për të promovuar figura të caktuara dhe për të kontrolluar protestën. Ai thotë se qëllimi është që të krijohet një opozitë fallso dhe të kontrolluar nga “sistemi 82 vjeçar”.
“Shoqërimet (arrestimet) e hiperdramatizuara po i bën vetë Sistemi i Vjetër për të shpëtuar dhe rritur figurën publike prej heroi mediatik dhe njeriu vemje të vetë veglave të tij. Këta vegla që kanë uzurpuar mikrofonin dhe tentojnë të uzurpojnë Protestën Kombëtare për të keqdrejtuar vetë vullnetin antisistem të shoqërisë tonë, po përpiqen të faktorizohen nga Sistemi i Vjetër i cili po i përdor si Pardesy të Bardha të 2026, me qëllim që të krijojë edhe për disa dekada të tjera një opozitë fallco dhe të kontrolluar nga vetë Sistemi 82 vjeçar", shkruan Kulluri.

Kulluri pretendon se prej tre muajsh, mes personave të shoqëruar nga policia kanë qenë kryesisht ata që ai i cilëson si “tradhtarë” të kauzës së protestës.
“Nuk përjashtoj që aty këtu mund të shoqërohen edhe protestues të vërtetë e të sinqertë, por deri tani në këto 3 muajt e fundit, kryesisht rregulli ka qenë ky.
Janë shoqëruar disa herë shumë prej tradhtarëve të kauzës së Protestës, shpesh në pozicione fizike ikonike duke e bombarduar sa më shumë mediatikisht aktin për t'i imponuar si heronj të Protestës Kombëtare, kur në fakt janë tradhtare të saj”, përfundon ai.


