“Prindërit tanë kanë derdhur gjak për këtë vend”, qytetarët e Patosit protestojnë kundër “Territoriales”

Dhjetëra qytetarë të Patosit kanë protestuar paraditen e sotme kundër ndryshimeve të parashikuara nga reforma territoriale. Me pankarta në duar dhe thirrjet “Larg duart nga Patosi”, banorët kanë kundërshtuar çdo vendim që, sipas tyre, cenon identitetin e qytetit të naftëtarëve.
Gjatë protestës, qytetarët shprehën shqetësimin se ndryshimet territoriale mund të ndikojnë negativisht në zhvillimin e zonës dhe në ruajtjen e historisë e veçorive të Patosit.
Sipas protestuesve, kjo reformë përbën një tjetër hap drejt shpopullimit të qytetit dhe kërkuan që zëri i tyre të merret në konsideratë përpara çdo vendimi përfundimtar.
“Bollë më. Duhet ta mbrojmë me gjak. Po nuk e mbrojtëm ne kush do e mbrojë, kanë derdhur gjak prindërit tanë. Po e lam ne të na e marrim, turpi na bie ne, çfarë do i lemë brezave tanë”, shprehet një prej protestuesve.
Banorët kanë apeluar ndaj institucioneve që të dëgjojnë kundërshtimet e tyre dhe të marrin parasysh interesin e komunitetit lokal gjatë procesit të rishikimit territorial.
“Prindërit tanë kanë derdhur gjak për të ndërtuar këtë Patos. Unë jam një bijë naftëtarësh, edhe burri im është naftëtarë. I bëj thirrje kryeministrtit të na japë një shpjegim pse do ta heq Patosin, ta çojë në Fier. Deputeten që e kemi votuar, pse nuk vjen të na mbrojë. Larg duar nga Patosi“, shprehet një qytetare.