Dashnor Sula kryeinspektor, reagon Berisha: Tradhti e lartë të kapësh flamurin e zi të Ramës, mollë e kalbur

Sali Berisha nuk e ka kursyer reagimin e ashpër për ish deputetin demokrat Dashnor Sula, i cili u emërua dje në krye të Kryeinspektorit të Përgjithshëm.
“Nëse tradhtia ndaj atdheut ndihet e larë, edhe tradhtia ndaj idealeve më të shenjta të demokracisë nuk ka pse të mos quhet tradhti e lartë. Është absolutisht e njëjta gjë në doktrinë”, deklaroi Berisha.
“Të tradhtosh ata të cilët burra dhe gra fisnikë kanë 12 vjet që s’të kthejnë shpinën, por të mbështesin me gjithë gabimet, dhe të dalësh në kohën më të zezë të Ramës dhe të kapësh flamurin e zi të Ramës, ke kryer aktin më të lartë të tradhtisë”, shtoi Berisha.
Berisha theksoi se emërimi i Sulës konfirmon, natyrën e vërtetë politike të ish-deputetit.
“E kuptoni vetë se ç’mollë e kalbur ka qenë ai. Çfarë e shtyn, e thashë edhe para disa ditësh, doktorin 32 vjet mjek, thotë jam anëtar PD-je, të dalë në krah të Salianjit të krimit, të bandave, dhe të përcjellë mesazhet e Subashit, i cili në pallatin e tij ka vendosur KESH-in. Nuk humbasim ne nga këta, përkundrazi u them ju se ne do ndahemi me këta. Ne nuk duam më kurrë në gjirin tonë shërbëtorë të Edi Ramës. Po një gjë, këta dallojnë nga ata që e kanë ndjekë nga partia e vet. Këta gëlltisin tradhtinë, jo ndaj meje, nuk ka lidhje me mua fare, ndaj teje si qytetar në radhë të parë që i ke besuar dhe i ke ndjekur. Dhe del tani në ditën më të zezë, kur po i dridhen këmbët, shkon dhe i bëhesh patericë. Kjo është histori turpi”, tha Berisha.


