“Të lidhur në shtrat dhe të detyruar të punojnë!”: Dëshmi rrëqethëse nga ferri i spitalit psikiatrik

Bota

“Të lidhur në shtrat dhe të detyruar të

Spitali Republikan Psikiatrik me Mbikëqyrje të Intensifikuar ndodhet në vendbanimin e izoluar të Aktasit, rreth 40 kilometra në verilindje të Almatit.

I vetmi institucion psikiatrik i këtij lloji që ka siguri të lartë në Kazakistan, kompleksi i fortifikuar ndodhet në skajin perëndimor të një zone të madhe industriale me miniera dhe gurore.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Kazakistanit, më shumë se 80 për qind e pacientëve në këtë institucion kanë kryer “krime të rënda ndaj të tjerëve” dhe mbahen aty nën një regjim të trajtimit të detyrueshëm mjekësor, të urdhëruar nga gjykata.

Deri tani, ka pasur pak informacion të qasshëm publikisht për atë që ndodh pas mureve të spitalit të Aktasit.

Por, së fundi një ish-pacient publikoi disa video në rrjetet sociale, duke nxitur diskutime të shumta. Pamjet, që përfshijnë intervista të regjistruara fshehurazi, më pas iu dorëzuan Azattyq, Shërbimit Kazak të Radios Evropa e Lirë. Disa video janë publikuar në rrjetet sociale. Ndërkaq, disa nga videot e siguruara nga Azattyq janë të reja.

Ish-pacienti që siguroi pamjet i kërkoi REL-it të mos e zbulonte emrin e tij, ndërsa shumica e personave që ai intervistoi u identifikuan në regjistrime. Ai tha se kishte qenë pacient në spital nga viti 2022 deri në shkurt të këtij viti dhe se pamjet ishin regjistruar gjatë viteve 2025–2026. REL-i nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur datat se kur janë regjistruar pamjet.

Njëri pas tjetrit, pacientët e intervistuar në video përshkruan përvoja jashtëzakonisht të ngjashme të asaj që, sipas tyre, ishin detyruar të përjetonin.

Njëri nga pacientët, Ruslan Kemelov, tha se ishte lidhur në një shtrat pasi kishte refuzuar një urdhër të stafit të spitalit dhe më pas, kundër vullnetit të tij, i ishte dhënë një injeksion.

I pyetur se për çfarë ai u lidh në një shtrat, ai u përgjigj thjesht: “Refuzova ta laja lavamanin”.

Spitali refuzoi të komentojë rastin individual të Kemelovit, duke u thirrur në konfidencialitet mjekësor.

Edhe ish-pacientë të tjerë përshkruan përvoja të ngjashme.

Ish-pacienti Samat Sattarov përshkroi efektet e detyrimit për të marrë një ilaç antipsikotik, përfshirë më pas edhe kufizimin fizik.

“Pas dekanoatit, një person nuk mund as të ecë, as të ulet, as të shtrihet normalisht. I gjithë trupi është në një gjendje torture. Imagjinoni: kam qëndruar i lidhur në shtrat për dhjetë ditë”.

Një tjetër pacient, Alisher Karimov, tha sa shpesh i jepeshin këto lloj injeksionesh.

“Gjashtë injeksione në ditë – kam marrë 60 injeksione brenda dhjetë ditësh. Edhe më keq është se të lidhin për shtrati. Rri aty i lidhur për dhjetë ditë të plota dhe nuk mund të lëvizësh. Madje nuk të zgjidhin as për të të lënë të shkosh në tualet. Duhet të kryesh nevojat fiziologjike aty ku je”.

Sattarov tha se beson se një trajtim i tillë synon t’i frikësojë pacientët dhe t’i nënshtrojë.

“Pas të gjitha këtyre ‘ekzekutimeve’, njeriu e humb plotësisht dëshirën për të jetuar. Nuk mund të mendosh më normalisht; bëhesh si një perime”.

Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, ndalimi i pavullnetshëm për arsye të shëndetit mendor duhet të jetë i mundur vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, të përcaktuara qartë me ligj, bazuar në vlerësimin e profesionistëve të kualifikuar shëndetësorë se një person paraqet rrezik serioz dhe të menjëhershëm për veten ose për një person tjetër.

Aktivistja për të drejtat e njeriut Elena Semenova, e cila pranoi disa nga videot, tha se dëshmitë e pacientëve meritojnë që të ketë një hetim serioz.

“Kjo është shtypje e vullnetit të një personi, futja e frikës tek ai për të arritur një rezultat të dëshiruar, për ta detyruar të kryejë veprime të caktuara. Kjo është torturë”.

Pacientët që folën në video-intervistat përshkruan më shumë sesa kufizimin fizik. Ata thanë se detyroheshin rregullisht të kryenin punë fizike që të funksiononte institucioni dhe se lirimi nga spitali ishte një gjë jashtëzakonisht e vështirë. Sipas dëshmive të tyre, bindja e plotë ndaj stafit ishte e vetmja mënyrë për të siguruar lirimin.

Një pacient, i filmuar duke larë tualetet me duar, pa doreza, u pyet pse po e bënte këtë. Ai u përgjigj thjesht: “Për t’u liruar nga spitali”.

Kur u pyet nëse stafi i kishte thënë shprehimisht se nuk do të lirohej nëse refuzonte, ai u përgjigj: “Po, po”.

Një tjetër pacient tregoi se ishte urdhëruar të punonte në një deponi mbeturinash, ku mbeturinat trajtoheshin tërësisht nga pacientët.

“Nëse thua se nuk do të shkosh, të vendosin në repartin e mbikëqyrjes dhe të japin injeksione”.

Ish-punonjës konfirmuan dëshmitë e pacientëve.

“I detyrojnë të lajnë tualetet dhe lavamanët. I detyrojnë”, tha Baizhan Sagyndykov, ish-punonjës i spitalit.

“Nëse pacientët thonë diçka se duan t’i mbrojnë të drejtat e tyre, i kërcënojnë, duke u thënë: ‘Do të të lidh, do të të jap injeksione’, dhe se do të ndërmarrin edhe masa të tjera. Po jua them këtë bazuar në atë që kam parë personalisht”.

Një tjetër ish-punonjëse, Nagima Nurbekova, tha se pacientët që mezi mund të ecnin detyroheshin të kryenin punë të tilla dhe, nëse kundërshtonin, lidheshin dhe u jepeshin injeksione.

Në përgjigje të një kërkese nga REL-i, spitali mohoi akuzat për punë me detyrim, duke thënë se pacientët nuk kryejnë detyrat e punonjësve dhe se pastrimi, puna në kuzhinë dhe mirëmbajtja kryhen nga stafi.

Drejtori i spitalit, Dulatbek Dauylbekov, gjithashtu hodhi poshtë pretendimin se kufizimet fizike përdoren si ndëshkim.

“Masat e kufizimit fizik përdoren vetëm kur ka indikacione mjekësore dhe nuk përdoren si ndëshkim apo masë disiplinore”, tha Dauylbekov, duke këmbëngulur se kufizimi është masa e fundit dhe përdoret vetëm kur ekziston një kërcënim i drejtpërdrejtë për dhunë.

Reparti nr. 9
Disa nga akuzat më serioze lidhen me Repartin nr. 9. Pacientët dhe ish-punonjësit e përshkruajnë atë si një nga repartet më të ashpra të institucionit.

Ish-pacienti Alexey Alekseev rrëfefu se kishte parë një pacient tjetër, Yuri Prikhodchenko, të kapej vazhdimisht me forcë dhe t’i jepeshin doza të mëdha ilaçesh.

“Për dhjetë ditë, personi detyrohet t’i kryejë nevojat aty ku është, sepse nuk e zgjidhin fare. Ai përjeton mundime të tmerrshme. Po flas hapur për këtë sepse e kam përjetuar vetë”.

Një tjetër pacient, Timur Nauanov, përmendi gjithashtu Prikhodchenkon.

“Prikhodchenko është aktualisht në Repartin nr. 9, repartin e tuberkulozit, megjithëse nuk ka tuberkuloz. E kanë vendosur aty qëllimisht sepse kishte filluar të fliste hapur për të drejtat dhe liritë e tij. Kam frikë për shëndetin dhe jetën time sepse ka pasur raste të vdekjes së pacientëve, dhe jo vetëm një herë”.

Në një përgjigje zyrtare për REL-in, drejtori i spitalit mohoi se aktualisht ekziston një repart i tillë, edhe pse pacientët e përshkruan me hollësi vendndodhjen e tij.

Në kundërshtim me deklaratën e drejtorit, autoritetet sanitare të Kazakistanit konfirmuan se institucioni ka një repart me 60 shtretër për pacientët me tuberkuloz, si dhe një dhomë izolimi për personat që dyshohet se kanë këtë sëmundje.

Spitali jo vetëm që mohoi ekzistencën e Repartit nr. 9, por refuzoi gjithashtu të jepte informacion për pacientët që pretendohet se mbahen aty, duke iu referuar konfidencialitetit mjekësor, madje duke mos u dhënë informacione as familjarëve të pacientëve.

Nëna e Prikhodchenkos, Olga Petrova, i tha REL-it se vazhdimisht ka pasur telashe që të kontaktojë me spitalin dhe shpesh nuk ka mundur as ta takojë djalin e saj.

“Nuk e di fare se çfarë po ndodh apo çfarë po i ndodh djalit tim”, tha ajo.

Gjatë vizitës së tyre të fundit të shkurtër, djali i saj arriti t’i tregonte se dozat e ilaçeve i ishin rritur në mënyrë drastike pas ardhjes së një drejtuesi të ri të repartit. Pak më vonë, Petrova mësoi se djali i saj ishte vetëlënduar rëndë.

“Ai nuk mund të flasë. Sigurisht që nuk mundet. Nëse ai e thotë të vërtetën…”, tha ajo.

Dëshmitë e pacientëve aktualë dhe ish-pacientëve gjithashtu ngrenë pikëpyetje lidhur me vdekjet dhe rastet e vetëlëndimit brenda institucionit.

Zyrtarisht, spitali raportoi vetëm vdekjen e një pacienti gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, ndërsa tha se sëmundjet kardiovaskulare përbëjnë pjesën më të madhe të vdekjeve mes pacientëve të tij.

Megjithatë, institucioni pranoi se ishin dhjetë raste zyrtare të pacientëve që kishin lënduar rëndë veten gjatë 18 muajve të fundit. Stafi nuk tha nëse këto incidente ishin përpjekje për vetëvrasje apo cilat ishin pasojat mjekësore.

Ish-pacienti Sattarov, i cili kishte qenë dëshmitarë i disa raste të vetëlëndimit, tha se këto statistika duhet të mbikëqyren nga dikush jashtë këtij institucioni.

“Statistikat thjesht duhet të kontrollohen: sa pacientë kanë vdekur dhe nga cilat shkaqe reale”, tha ai.

Disa institucione shtetërore tani po i hetojnë këto pretendime.

Prokuroria e Qarkut të Talgarit njoftoi se kishte shqyrtuar videot në rrjetet sociale dhe kishte nisur inspektime gjithëpërfshirëse lidhur me ligjshmërinë e kujdesit mjekësor, respektimin e kërkesave sanitare dhe cilësinë e përgjithshme të shërbimeve në këtë institucion.

Ministria e Shëndetësisë e Kazakistanit dhe Komisioneri për të Drejtat e Njeriut gjithashtu kanë nisur hetime të brendshme.

Beksultan Dildabekuly, përfaqësuesi i Avokatit të Popullit në rajonin e Almatit, bëri një paralajmërim të ashpër pas publikimit të videove.

“Përdorimi i këtyre masave si mjet ndëshkimi, presioni apo detyrimi nuk lejohet absolutisht sipas ligjit”, tha ai. /rel

ME TE LEXUARAT