Ndryshon moti, sinoptikania njofton se çfarë na pret në vijim

Pas reshjeve dhe temperaturave më të ulëta të ditëve të fundit, moti në Shqipëri pritet të përmirësohet gradualisht, me rikthimin e diellit dhe rritjen e temperaturave. Sipas meteorologes Lajda Porja, ditët në vijim do të karakterizohen nga mesdita të ngrohta, ndërsa mëngjeset dhe netët do të vijojnë të jenë relativisht të freskëta.
Duke folur për Euronews Albania, Porja u shpreh se temperaturat do të shënojnë rritje që nga dita e sotme, ndërsa të dielën pritet një përmirësim i mëtejshëm i kushteve atmosferike.
“Dje dhe sot termometri ka qenë me vlera mjaft të ulëta dhe në vlerat maksimale, ku dita e djeshme ka shënuar 24. Sot, meqë ka pasur përmirësim të motit, sidomos veriu dhe qendra — pasi jugu është ende me vranësira dhe reshje të pakta në juglindje sot parashikohet të ketë rritje, për shkak se do të kemi praninë e diellit. Sot presim temperatura 27 °C”, tha Porja.
Sipas saj, reshjet janë regjistruar kryesisht gjatë ditës së djeshme, ndërsa në ditët në vijim nuk priten më reshje të rëndësishme.
“Megjithatë, reshjet, si të thuash, ishin të fokusuara vetëm gjatë ditës së djeshme ku në disa zona patëm rrebeshe e në disa zona më të pakta. Parashikohet që nesër moti të përmirësohet akoma. Edhe këto vranësira që janë prezente aktualisht, dita e diel do të ketë më shumë diell. Vranësirat do të jenë të fokusuara vetëm në zonat malore, nuk parashikohet që nesër të kemi reshje”, u shpreh meteorologia.
Të dielën temperaturat maksimale pritet të arrijnë në 28-29°C, duke sjellë një mesditë dukshëm më të ngrohtë. Megjithatë, Porja thekson se ndryshimi i temperaturave do të jetë i ndjeshëm mes mëngjesit dhe mesditës.
“Termometri do të ngjitet në 28 °C apo 29 °C nesër, do të jetë një mesditë shumë e ngrohtë. Ajo çfarë duhet të theksoja, Alba, është që gjatë këtyre ditëve edhe në vijim në fakt mëngjeset do të mbeten relativisht të freskëta. Pra, ne nuk është se që nga nesër do të zgjohemi dhe do të dalim sërish me mëngë të shkurtra. Temperaturat minimale të mëngjesit dhe të natës janë relativisht të freskëta, por do të kemi temperaturat maksimale, një mesditë shumë të ngrohtë me 28 °C apo 29 °C, temperatura mjaft të larta”, tha ajo.
Ndërkohë, parashikimi për javën e ardhshme është për një mot kryesisht të qëndrueshëm dhe të kthjellët. Sipas Porjës, temperaturat do të vijojnë të rriten dhe të hënën mund të arrijnë deri në 30°C.
“Parashikohet në fakt që edhe java e tjetër të jetë goxha e qëndrueshme. Fillojmë që nga dita e hënë e në vijim moti do të jetë i kthjellët, dielli do të jetë prezent. Dita e hënë do të shënojë termometri edhe 30 °C, janë temperatura shumë të larta”, u shpreh meteorologia.
Ajo shtoi se edhe fillimi i tetorit pritet të ruajë të njëjtin model atmosferik, me mëngjese të freskëta dhe mesdita të ngrohta.
“Parashikohet në fakt që edhe java e parë e tetorit të futet, si të thuash, në këto ujëra: me mëngjese relativisht të freskëta, por mesdita shumë të ngrohta. Edhe nëse do të duhet të dalim në punë, do të veshim një bluzë me mëngë të shkurtra dhe një xhaketë në mëngjes, dhe më pas nga mesdita do të na duhet ta heqim xhaketën në shumë zona të Shqipërisë”, përfundoi Porja.


