Destinacioni sekret: Wizz Air sjell në TIA 150 influencues dhe gazetarë për të zbuluar Shqipërinë

Shqipëria është destinacioni i fshehtë i edicionit të radhës të “Let’s Get Lost”, nismës së Wizz Air që këtë herë sjell në vendin tonë 150 influencues dhe gazetarë nga Varshava.
Pjesëmarrësit u nisën pa e ditur destinacionin dhe vetëm pas mbërritjes në Tiranë zbuluan se aventura e tyre do të zhvillohej në Shqipëri. Gjatë katër ditëve, ata do të njohin nga afër kulturën, historinë, kuzhinën, natyrën dhe mikpritjen shqiptare, përvoja të cilat do t’i ndajnë më tej me ndjekësit dhe lexuesit e tyre jo vetëm në mediat sociale, por edhe ato tradicionale.
Me mbështetjen e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, kjo nismë synon të sjellë Shqipërinë më pranë publikut polak dhe të rrisë njohjen e saj si vend turistik, përmes përvojave të drejtpërdrejta të gazetarëve dhe krijuesve të përmbajtjes në mediat sociale.

Manjola Kaso, Drejtore e Zhvillimit të Biznesit të Aviacionit dhe Marketingut në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, u shpreh:
“Jemi shumë të kënaqur që Shqipëria është destinacioni i këtij edicioni të ‘Let’s Get Lost’. Prania e gazetarëve dhe influencuesve nga Polonia është një mundësi e bukur për t’u treguar audiencave të reja Shqipërinë përmes përvojave të tyre. Shpresojmë që kjo aventurë t’u japë pjesëmarrësve një njohje të veçantë të vendit tonë dhe të përcjellë më tej bukuritë, kulturën dhe mikpritjen shqiptare.”

“Jemi shumë të lumtur që më në fund zbulojmë Shqipërinë si destinacionin e këtij edicioni të ‘Let’s Get Lost’. Shqipëria është një vend i jashtëzakonshëm, me histori, kulturë, mikpritje dhe peizazhe mahnitëse. Përmes kësaj nisme, jemi krenarë të kontribuojmë në njohjen e mëtejshme të Shqipërisë dhe të nxisim më shumë udhëtarë ta zbulojnë atë,” tha Vera Jardan, Drejtuese e Komunikimit të Korporatës në Wizz Air.