Ndihmoi Agasin në arrati dhe i dha informacione sekrete, sot jepet masa për ish-kreun e SHISH

Sot në orën 12:00 GJKKO do të japë masën e sigurisë për ish-kreun e SHISH, Vlora Hysenin, e cila ndodhet nën arrest shtëpie nga SPAK, ndërsa kryeministri Rama më pas e liroi nga detyra.
Hyseni akuzohet për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”. SPAK gjeti 9 faqe dokumente sekrete të SHISH në makinën e Ergys Agasit, i arrestuar për aferën e AKSHI-t, të cilat dyshon se ia ka vënë në dispozicion Hyseni.
Kjo e fundit ishte pyetur më 18 shtator nga SPAK (jo për herë të parë), si person në dijeni për lidhjet me biznesmenin, por ka pretenduar se komunikimet mes tyre ishin në kuadër të bashkëpunimit të tij si informator i SHISH.
Në komunikimet e zbuluara nga SPAK dhe të raportuara nga Report Tv, gjenden mbi 500 komunikime mes Hysenit e Agasit ku sipas Prokurorisë, biznesmeni diktonte dhe merrte informacionin që i duhej, informohej për takime sensitive si dhe shkëmbenin edhe foto e video.
Veç Hysenit, SPAK arrestoi edhe Fatjon Kallucin, shef sektori në Policinë Shkencore për nxjerrje të sekretit hetimor dhe Embro Sulejmanin, kryekamerier në restorantin pranë vilave qeveritare në Durrës pasi dyshohet se ka fshehur pamjet e kamerave të sigurisë pas arrestimit të Agasit. Edhe ata do të dalin sot në orën 09:00 para Gjykatës së Posaçme.


