Vdekja nga pakujdesia në duart e policëve, Apeli rikthen çështjen e Agon Zejnullahut në Gjykatën Themelore

Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, degën në Lipjan, që më 9 korrik 2025 caktoi paraburgimin për pesë zyrtarë policorë, të dyshuar për vrasje nga pakujdesia në rastin e Agon Zejnullahut. Mes të dyshuarve janë rreshteri Ibrahim Nela dhe katër zyrtarë policorë: Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri.
Apeli pranoi ankesat e mbrojtësve, duke rikthyer çështjen në gjykatën e shkallës së parë për rivendosje. Sipas Apelit, seanca dëgjimore në Themelore është mbajtur në shkelje të dispozitave ligjore, pasi prokurori nuk ka elaboruar kërkesën për paraburgim dhe nuk ka konstatim se palët kanë hequr dorë nga elaborimi i saj.
Gjykata e Apelit thekson mungesën e analizës dhe vlerësimit të provave nga Themelorja, që është kusht themelor për caktimin e masës së paraburgimit. Në vendim thuhet se provat nuk janë shqyrtuar veç e veç, duke mos individualizuar veprimet e secilit të dyshuar dhe intensitetin e përgjegjësisë së tyre.
Gjykata e Apelit kritikon Themeloren për një vlerësim formal dhe jo substantiv të rrethanave, duke mos arsyetuar rrezikun e përsëritjes së veprës penale. Ndër të tjera, Apeli përmend mungesën e dokumentacionit fizik, përfshirë CD dhe video-incizime, të cilat nuk janë pasqyruar në sistemin informativ të lëndëve.
Në rivendosje, Apeli kërkon nga shkalla e parë të vlerësojë standardin e dyshimit të bazuar, të bëjë individualizimin e veprimeve të secilit të dyshuar dhe të specifikojë rrethanat që mund të çojnë në përsëritje të veprës penale.


