Albina Kelmendi reagon sërish ndaj Eglit: “Playback për një këngë lufte? Turp”

Debati rreth interpretimit të këngës “Mora fjalë” nga Egli Tako vazhdon të përflitet gjerësisht në rrjetet sociale. Pasi videoja e performancës provokoi një valë reagimesh, ka qenë edhe Albina Kelmendi ajo që është përfshirë sërish në këtë debat, duke dhënë një deklaratë të qartë dhe të drejtpërdrejtë.
Fillimisht, Albina reagoi me një postim në InstaStory, ku ndau videon e Eglit dhe shkroi: “M’falni edhe mu që po e bëj share. Uroj që kjo të jetë një montazh i keq.” Ky koment u përhap me shpejtësi, duke u interpretuar nga disa si një sulm personal.
Për të sqaruar situatën, Albina u shfaq në një intervistë për “Live from Tirana” në Top Albania Radio. Ajo theksoi se reagimi i saj nuk kishte të bënte personalisht me Egli Takon, por me mënyrën si ishte trajtuar një këngë me peshë kombëtare.
“E them me shumë respekt, nuk i ka hije një artisti të sillet në këtë mënyrë. Nuk po flas për të si person, por për veprimin që ndodhi publikisht”, u shpreh këngëtarja.

Albina kritikoi faktin që performanca ishte playback, ndërsa në sfond dëgjohej zëri i Shkurte Fejzës, duke e cilësuar si të papranueshme:
“Të dëgjosh zërin e Shkurte Fejzës dhe të shohësh dikë që lëviz vetëm buzët në skenë, është turp. Sidomos kur bëhet fjalë për një këngë për një hero të Kosovës.”
Në një postim të mëvonshëm në rrjetet sociale, ajo vijoi:
“Më vjen keq për ata që e kanë keqkuptuar reagimin tim. Në vend që të më dëgjoni për atë që po them, vazhdoni e merreni me veshjen dhe paragjykimin.”
Në përmbyllje, Albina theksoi se qëllimi i saj nuk ishte të nxisë debate boshe, por të mbrojë vlerat që përfaqëson një këngë si “Mora fjalë”:
“Nuk më interesojnë dramat. Por kur shkelet një këngë me aq peshë, nuk mundem të hesht. Duhet t’i respektojmë ata që kanë kënduar në kohë lufte, me shpirt e me lot.
Nuk është normale që një këngë për një hero të Kosovës të shndërrohet në shfaqje për disa klikime.”


