Itali, dëshmoi kundër të atit mafioz që i vr'au nënën, vetëvr'itet 35-vjeçarja

Bota

Itali, dëshmoi kundër të atit mafioz që i vr'au
Një grua që dëshmoi kundër babait të saj pas vrasjes brutale të nënës nga mafia italiane dyshohet se i ka dhënë fund jetës. Denise Cosco, 35 vjeçe, u gjet në gjendje të rëndë të dielën dhe ndërroi jetë më vonë në spital në Romë.

Nëna e saj, Lea Garofalo, u vra në vitin 2009 dhe u kthye në një simbol të rezistencës ndaj mafias, pasi vendosi të bashkëpunonte me drejtësinë dhe të dëshmonte kundër klanit mafioz ‘Ndrangheta, në jug të Italisë.

Njerëzit që e njihnin Coscon kujtojnë guximin e saj për të dëshmuar kundër të atit gjatë procesit gjyqësor, por edhe vështirësitë e mëdha me të cilat ajo u përball në vitet që pasuan.

Cosco ndërroi jetë në moshën 35-vjeçare, të njëjtën moshë që kishte nëna e saj kur u vra. Enza Rando, senatore dhe avokate kundër mafias që përfaqësoi Coscon gjatë gjyqit për vrasjen e nënës së saj, e cilësoi vdekjen e 35-vjeçares si “një plagë të thellë për të gjithë vendin”.

Sipas saj, rasti tregon se mafia nuk vret vetëm fizikisht, por krijon edhe “përbindësha të vërtetë në jetën dhe shpirtrat” e atyre që mbijetojnë.

Francesca Rispoli, bashkëpresidente e organizatës kundër mafias Libera, tha se vdekja e Coscos nxjerr në pah vështirësitë me të cilat përballen njerëzit që shkëputen nga krimi i organizuar.

“Mafia nuk është vetëm diçka fizike. Mund të largohesh, mund të ndryshosh emrin. Por ekziston ende një lidhje, një lidhje familjare, që mbetet aty, thellë brenda dhe është e pamundur të kapërcehet”, tha Rispoli. Ashtu si nëna e saj, Cosco kishte jetuar për vite nën mbrojtjen e shtetit, me një emër dhe identitet të ri.

Megjithatë, sipas Rispolit, ajo mbeti jashtëzakonisht e brishtë dhe vitet e fundit ishte rilidhur me babain e saj, Carlo Cosco, i cili ndodhet në burg. Pavarësisht gjithçkaje që kishte ndodhur, ajo kishte ndjerë një “boshllëk në jetën e saj”. Miqtë e saj kanë treguar se Cosco kishte vuajtur nga probleme të shëndetit mendor dhe varësia.

Rispoli theksoi se rasti mund të jetë një sinjal se personat që përpiqen të shkëputen nga jetët e lidhura me krimin e organizuar kanë nevojë për mbështetje afatgjatë, jo vetëm për një periudhë të shkurtër. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në rastin e organizatave mafioze italiane, si ‘Ndrangheta, ku lidhjet familjare luajnë një rol të rëndësishëm.

Nëna u vra dhe trupi iu dogj – Në rastin e Coscos, si familja e nënës, ashtu edhe babai i saj kishin lidhje me botën e mafias.

Për një kohë të gjatë, ajo kishte refuzuar të besonte versionin e babait se Lea Garofalo e kishte braktisur familjen për të nisur një jetë të re në Australi.

Në të vërtetë, sipas hetimeve, Carlo Cosco e kishte mashtruar Garofalon duke e thirrur në një takim. Aty ajo u vra, trupi iu copëtua dhe më pas u dogj.

Disa vite më vonë, dëshmia e njërit prej autorëve të krimit u mundësoi policisë të gjente disa fragmente kockash dhe një varëse, të cilat Cosco i identifikoi.

Në ceremoninë publike mortore në vitin 2013, ajo foli për guximin e nënës së saj, e cila kishte vendosur të përballej me rrezikun “për drejtësinë e të gjithëve”. Babai i saj dhe tre bashkëpunëtorë të tjerë ishin dënuar me burgim të përjetshëm.

Gjatë gjyqit, Cosco e kishte përshkruar veten si një “dëshmitare krenare për drejtësinë”. Ajo kishte thënë se kishte marrë vendimin e vështirë për të dëshmuar, duke folur pas një ekrani mbrojtës, sepse dëshironte “lirinë e brendshme për të nisur nga e para” jetën e saj.

Hetimet – Pas vdekjes së Coscos, prokurorët italianë kanë nisur një hetim për të përcaktuar nëse ka pasur ndonjë nxitje për vetëvrasje. Telefoni i saj është sekuestruar për t’u analizuar.

Miq dhe mbështetës të saj pritet të mblidhen në Milano për ta kujtuar pranë vendit ku nëna e saj ishte rrëmbyer.

Luigi Ciotti, presidenti i organizatës Libera, e përshkroi jetën e Denise Coscos si një betejë të vazhdueshme mes guximit dhe vuajtjes.

“Sot, diçka në atë ekuilibër të brishtë u thye përgjithmonë”, u shpreh ai.

ME TE LEXUARAT