Transportuan 61 kilogramë lëndë narkotike me makinë, arrestohet një person, tjetri në arrati

Një operacion policor i zhvilluar në orët e para të së martës, në zonën e Agia Paraskevi, në Atikë të Greqisë, ka çuar në arrestimin e një personi dhe sekuestrimin e një sasie të madhe lënde narkotike.
Sipas autoriteteve greke, policët tentuan të ndalonin për kontroll një automjet me dy persona brenda. Drejtuesi i mjetit nuk iu bind urdhrit të policisë dhe u largua me shpejtësi.
Pas pak minutash, automjeti u ndalua nga forcat e policisë. Gjatë kontrollit të kryer në brendësi të makinës u gjetën 49 pako me kanabis, me një peshë totale prej 61 kilogramësh e 250 gramësh.
Njëri prej dy personave që ndodheshin në automjet u arrestua, ndërsa personi tjetër është larguar dhe po kërkohet nga autoritetet.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e rolit të personave të përfshirë në transportin e lëndës narkotike.


