FBI dërgon në Kosovë agjent special dhe analist të inteligjencës: Do të punojnë ngushtë me policinë

Kosovë&Rajon

FBI dërgon në Kosovë agjent special dhe analist të

Byroja Federale Amerikane e Hetimeve, FBI ka dërguar në Kosovë një agjent special dhe një analist të inteligjencës. Policia e Kosovës për mes një postimi në “Facebook” thekson se ata do të angazhohen në bashkëpunim të drejtpërdrejtë dhe paralel me institucionet.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha u takua këtë të enjte me atasheun ligjor të FBI-së, Brendan Collins dhe me atasheun e Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (DOJ-ICITAP), Kimberly Riffe.

Në fokus të takimit ishin planet për bashkëpunim të mëtejmë, forcimin e partneritetit strategjik dhe thellimin e koordinimit ndërinstitucional, veçanërisht në fushën e hetimeve penale dhe inteligjencës.

“Forcohet bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë së SHBA-së Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me menaxhmentin e lartë të PK-së, në Prishtinë priti në një takim zyrtar Atasheun Ligjor të FBI-së, z. Brendan Collins, si dhe Atasheun e Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (DOJ-ICITAP), znj. Kimberly Riffe.

Gjatë këtij takimi, atashetë amerikanë prezantuan para nivelit të lartë ekzekutiv të Policisë së Kosovës dy përfaqësues të FBI-së: një agjent special të FBI-së dhe një analist të intelligences të FBI-së, të cilët do të punojnë ngushtë dhe paralelisht me Policinë e Kosovës gjatë muajve në vijim.

Takimi u fokusua në planet e bashkëpunimit të ardhshëm, forcimin e partneritetit strategjik dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Të dyja palët riafirmuan përkushtimin për bashkëpunim të plotë dhe koordinim të vazhdueshëm në fushën e hetimeve penale dhe inteligjencës, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe luftimit efektiv të krimit.

Policia e Kosovës vlerëson lart mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve të sigurisë së SHBA-së, duke e konsideruar këtë bashkëpunim si shembull të shkëlqyer të partneritetit profesional dhe strategjik në shërbim të sigurisë së qytetarëve”, njofton policia.

ME TE LEXUARAT