"Do e kisha spatruar etnikisht Kosovën"/ BE-ja dënon deklaratën e ministres serbe: Presim nga të gjithë liderët...

Bashkimi Evropian ka dënuar deklaratën e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviç, e cila tha se po të ishte në vend të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviç, në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper tha se BE-ja nuk komenton deklarata individuale, por theksoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton ose promovon spastrimin etnik. Sipas saj, kjo bie ndesh edhe me zotimet që ka marrë Serbia në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
“Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian. Ne presim që të gjithë liderët të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi dhe stabiliteti rajonal”, tha Hipper duke iu adresuar gazetarëve në Bruksel.
Paunoviç deklaroi të shtunën për televizionin serb “Kurir” se, po të ishte në vend të Millosheviç në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën”, deklaratë që nxiti reagime dhe dënime edhe në Kosovë, informon REL. Sllobodan Millosheviç ishte ish-president i Republikës Federale të Jugosllavisë, i akuzuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte.